Shqipëria

Gjykata rrëzon kërkesën e Bardhit për të çregjistruar Bashën si kryetar i PD-së


Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur që të mos pranojë kërkesën e 6 deputetëve për ta çregjistruar Lulzim Bashën si kryetar i PD-së.

Gjyqtari Gentjan Marku vendosi mos të legjitimojë Këshillin e thirrur nga Gazmend Bardhi.

Këshilli Kombëtar i PD më datë 27 korrik 2023 ka vendosur të kërkojë çregjistrimin e ish kryetarit të PD Basha nga regjistri i partive politike. Grupimi i përfaqësuar nga ky i fundit ka bërë kërkesë që të bëhet pjesë si palë në proces.

“Përfaqësimi ndaj të tretëve bëhet nga kryetari, as nga Këshilli Kombëtar. Kanë tagër të caktimit ose zgjedhjes së një kryetari të ri”, tha përfaqësuesi ligjor i Bashës, për mediat, pas përfundimit të seancës.

Çfarë thotë vendimi i Këshillit Kombëtar të PD-së

Një grup deputetësh janë ngarkuar të ndjekin të gjitha hapat ligjor dhe statutor për zbatimin e vendimit të Këshillit, si dhe për përfaqësimin e Partisë Demokratike, në rrugë ligjore për të kundërshtuar çdo akt që bie ndesh me vendimin.

Gjithashtu, Këshilli Kombëtar i PD, si organi më i lart drejtues i Partisë, i ka autorizuar deputetët që në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë të kërkojnë çregjistrimin e ish-Kryetarit të dorëhequr të PD Lulzim Basha nga regjistri i partive politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore