Shqipëria

Gazetarët, protestë mbi vendimin e Kuvendit të Shqipërisë


Gazetarët kanë protestuar ditën e sotme më 9 qershor, përpara Kuvendit, kundër vendimit për të moslejuar median që të ndjekë fizikisht punimet e komisioneve parlamentare.

Ata e kanë quajtur vendimin “diskriminues” dhe theksuan se nuk do ta zbatojnë atë.

“Ne duhet të shohim gjithçka ndodh”, tha në deklaratën për mediat njëri nga gazetarët.

Sipas tyre ky vendim prodhon censurë dhe duhet të kthehet pas.

“Kjo nuk është gazetari, sepse informacionet na vijnë të gatshme”, ishte një nga fjalitë e shumta që u përsërit në protestë.

Gazetarët bënë me dije se do t’i dërgojnë një letër Kryeministrisë, por edhe të gjitha ambasadave.

Më herët, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), Aleksandër Çipa i ka drejtuar një kërkesë zyrtare kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, lidhur me moslejimin e medias për t’i ndjekur fizikisht punimet e komisioneve parlamentare.

Gjithashtu dhe Instituti për Studime Politike (ISP), ka shprehur të njëjtin shqetësim lidhur me këtë çështje.

“Instituti i Studimeve Politike (ISP) i bashkohet shqetësimit të reporterëve të medias dhe apelon Kuvendin për rishikimin e këtij vendimi, respektimin e detyrimit ligjor për konsultimet publike, si dhe në tërësi për një qasje të re institucionale lidhur me transparencën, informimin dhe llogaridhënien publike”.

Vendimi i Kuvendit erdhi pas vënies në funksion të sistemit Audio-Video për transmetimin online të punimeve të komisioneve i cili kishte nisur implementimin që në vitin 2018.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore