Lajme

Gazeta kroate shkruan për raketat serbe në Ukrainë: Putin i zemëruar


Ilustrim

Në një artikull të kushtuar marrëdhënieve të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, mediumi kroat Jutarnji List, vëren se Serbia ndodhet në një situatë delikate.

Jutarnji List, në këtë artikull ka shkruar se është zbuluar se ushtria ukrainase po përdor raketa të prodhuara në Serbi.

Mediat ruse pro-Putinit, njoftuan se afro 3 mijë e 500 raketa serbe iu dorëzuan ushtrisë ukrainase nga fabrika e njohur serbe “Krusik”, nëpërmjet Turqisë dhe Sllovakisë.

“Rusia vlerësoi se ky lajm është shqetësues dhe zhgënjyes”, shkruan Jutarnji List.

Thënë ndryshe, delikatesa konsiston në faktin se Serbia mbështet palën ruse në luftën në Ukrainë ndërsa punon pas shpine duke armatosur këtë të fundit.

“Ky informacion nuk i ka pëlqyer Vladimir Putinit”, shkruan më tej gazeta kroate.

Shkrimi i gazetës kroate vazhdon duke cituar ministrin e Mbrojtjes serbe, Millosh Vuçeviç, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vuçiç’it, i cili përgënjeshtroj raportimet e mediave ruse duke thënë se Serbia nuk ka shitur armë Ukrainës, por se ata mund të kenë përfunduar në ushtrinë ukrainase në forma të ndryshme.

Mirëpo, përkundër kësaj, mediat shtetërore ruse, raportojnë se raketat janë porositur nga kompania kanadeze JNJ Export Import, dhe më pas ato janë transferuar nga Serbia për në Turqi, e të cilat më pas janë transferuar në Sllovaki për të përfunduar në Ukrainë.

Gazeta më tej shkruan se deklarata e politologut rus, Danilo Gureyev, për portalin pro-regjimit Nevs.rs, dëshmon se Rusia mbetet ende skeptik për këtë gjë.

“Nuk do të habitesha nëse Serbia realisht do t’i shiste armë Ukrainës, sepse presidenti Vuçiç, gjithnjë e më shumë po i nënshtrohet presionit perëndimor. Serbia është ishull i rrethuar nga anëtarët e NATO-s”, ka thënë Gureyev, shkruan Jutarnji List.

Zëdhënësja e Putin-it kërkon llogari nga Beogradi: Çka po kërkojnë armët serbe në Ukrainë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore