Lajme

Zëdhënësja e Putin-it kërkon llogari nga Beogradi: Çka po kërkojnë armët serbe në Ukrainë?


Maria Zakharova

Përmes zëdhënëses së ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, Moska i ka kërkuar Serbisë qëndrim zyrtar për lajmet se armët serbe i janë dorëzuar Ukrainës.

“Ne tashmë i kemi kërkuar Beogradit të deklarohet. Deklarata të tilla nuk duhet të bëhen përmes mediave, as përmes rrjedhjeve të informacionit, por përmes qëndrimit të shpallur zyrtarisht nga pala serbe”, tha Zaharova, transmeton media serbe Danas.

Tutje, ajo shtoi se faktet duhet të zbulohen dhe në bazë të saj të nxirren përfundimet e duhura, sepse sipas saj, kjo është një “temë jashtëzakonisht e rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe”.

Zakharova gjithashtu potencoi se Moska zyrtare është thellësisht e shqetësuar për raportimet që vijnë në drejtim të Serbisë për përfshirjen e saj në shitjen e armëve në Ukrainë.

“Ne po e ndjekim me vëmendje këtë histori, i kushtuam vëmendje diskutimit të fundit për këtë temë në Kuvendin e Serbisë. Informacioni që qarkullon sigurisht që na shkakton shqetësimin të thellë”, tha ajo.

Për dërgimin e armëve nga Serbia për në Ukrainë ishte raportuar në mediat ruse dhe kanalet e rrjetit social ‘Telegram’ – duke thënë se Serbia në mënyrë të fshehtë kishte dërguar 3 mijë e 500 raketa të sistemit raketor “Grand” dhe këtë e ka bërë përmes Turqisë dhe Sllovakisë.

Mirëpo, ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, kishte mohuar se Serbia eksporton armë në Ukrainë.

“Nëse kompanitë private blejnë në tregje të treta dhe u shesin kompanive në vende të tjera nuk është çështje për Serbinë, është tregti ndërkombëtare. Për ne mund të jetë një informacion interesant në aspektin informativ dhe jo detyrim ligjor apo rregullore”, kishte deklaruar Vuçeviç në Kuvendin e Serbisë.

Ndryshe, Serbia është nga vendet e pakta që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, pas agresionit të kësaj të fundit në Ukrainë.

Vazhdimisht vendet perëndimore i kanë bërë thirrje Serbisë që të veprojë me një linjë me këto vende në raport me Rusinë, në mënyrë që të rreshtohej kështu me vendet që e kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore