Lajme

Gashi: “Zdravo” Albin, audio-incizimet skandal i madh  


Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe kolegen e tij, Mimoza Kusari – Lilën pas publikimit të audio-incizimeve ku kjo e fundit dëgjohet duke komunikuar pjesëtarë të Listës Serbe, përfshirë edhe kriminelin dhe terroristin, Milan Radojiçiç, person në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i ikur nga drejtësia në Kosovë,

“Të nderuar kolegë, zdravo Albin”, e nisi fjalën e tij Gashi.

Sipas tij kryeministri i Kosovës dhe Qeveria e udhëhequr nga ai dallohen për skandale në vazhdimësi.

“Skandali i komunikimit me një person në kërkim ndërkombëtar për vrasje nga organet e drejtësisë së Kosovës dhe në listë të zezë të SHBA-ve është skandal shumë i madh”, shtoi ai.

Për Gashin është e qartë se Kusari-Lila komunikimin me Listën Serbe e ka bërë me lejen e kryeministrit.

Gashi tha se asnjëherë nuk ka pranuar ftesë nga Kusari – Lila për të pirë kafe siç ka pirë ajo me Sllavko Simiçin e për të biseduar se si të stabilizohet kuvendi.

“Kurti tha se Kusari-Lila ka për detyrë për me bo numrat dhe nëse ia ka dhanë me bo numrat ia ka dhënë urdhër me e bo edhe komunikimin dhe komunikimin ia ka dhënë mos me e bo me deputetët shqiptarë, mua asnjëherë nuk më ka thirru me pi një kafe e me diskutu se si të veprohet për të stabilizuar Kuvendin”.

Ndryshe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, në fillim të seancës së Kuvendit, kanë vendosur dy pankarta ku shkruan “Zdravo”, që në shqip do të thotë përshëndetje, në Kuvendin e Kosovës, si reagim ndaj publikimit të audio-incizimeve të Mimoza Kusari – Lila me nënkryetarin e Listës Serbe, Slavko Simiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore