Sport

FSHF mohon zërat për trajner të ri të Shqipërisë


Në ditët e fundit kishin qarkulluar lajme se trajneri italian, Luigi Di Biaggio, do ta merrte drejtimin e Shqipërisë në vend të bashkëkombësit të tij, Edoardo Reja.

Por, këto lajme i ka mohuar Federata Shqiptare e Futbollit, të cilët përmes një sqarimi në faqen e tyre zyrtare kanë thënë se Reja vazhdon të jetë përzgjedhës i kuqezinjve.

“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të informojë dhe sqarojë të gjithë opinionin publik e mediat se zërat që kanë qarkulluar orët e fundit në lidhje me një marrëveshje të mundshme me Luigi Di Biaggio-n për drejtimin e Shqipërisë janë totalisht të pavërteta dhe një spekulim i pabazë”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

“Kombëtarja shqiptare e futbollit ka në drejtimin e saj trajnerin Edoardo Reja, i cili është ende nën kontratë e vazhdon punën e tij”, shkruan FSHF.

Luigi Di Biaggio aktualisht është i papunë, derisa në karrierën e tij ka drejtuar kombëtaret U20 dhe U21 të Italisë, si dhe ekipin e Spal.

Në vazhdim në këtë shkrim thuhet se synimi i kombëtares kuqezi do të jetë kualifikimi në Kampionatin Evropian të ardhshëm.

“Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se fokusi ynë është te shorti i Kampionatit Evropian 2024, i cili do të hidhet në datë 9 tetor në Frankfurt”, shkruan FSHF.

Kujtojmë që Shqipëria po kalon momente shumë të vështira në kohët e fundit.

Kuqezinjtë nuk kanë fituar në shtatë ndeshjet e fundit, përfshirë këtu edhe takimet e Ligës së Kombeve, ku kanë grumbulluar vetëm dy pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore