Sport

FSHF-ja gati të ndërmarrë hapa ligjor kundër, Erion Veliajt


Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka publikuar një audio-përgjim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt. Ky i fundit shfaqet me tone kërcënuese ndaj anëtarëve të Shoqatës së Futbollit të Tiranës, për të votuar një prej kandidatëve në garë, Eduard Prodanin.

Në lidhje me këtë ngjarje, FSHF, ka reaguar duke thënë se do të ndjek të gjithë hapat ligjor të nevojshëm.

Në një deklaratë për mediat, Andi Verçani, kreu i Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun në FSHF denoncoi rastin, duke bërë publik audio-përgjimin.

Ndër fjalitë e përdorura nga Veliaj të cilat i denoncon Verçani janë: “Do ikim në çdo qytet, dua ta kontrolloj unë futbollin”, “Jo UEFA dhe FIFA të zbresin, po Jezusi dhe Muhamedi të zbresin, nuk e ndalin luftën time”, “Do bëj çdo gjë t’ia nxijë jetën këtyre me Prokurori dhe SPAK”, apo dhe “Futbollit është i vetmi ishull që se kemi në kontroll”.

Kujtojmë se këtë të hënë, duke filluar nga ora 15:00 do të mblidhet asambleja e Shoqatës së Futbollit Tiranë, ku të gjithë anëtarët e saj do të votojnë për kryetarin e ri.

Dy janë kanditatët në garë. Eduard Prodani, ish-sekretar i përgjithshëm i FSHF-së dhe Krenar Alimehmeti, ish-drejtor sportiv i klubit të futbollit Tirana.

Gjithashtu do të votohet edhe për gjashtë delegatët që do të kenë të drejtë vote për të zgjedhur presidentin e ri të FSHF-së në asamblenë e 2 marsit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore