Sport

Familja e Michael Schumacher fiton çështjen kundër botuesit, për intervistën e rreme me AI


Familja e Michael Schumacher ka fituar padinë e tyre ligjore kundër botuesit të një reviste, i cili printoi një intervistë të gjeneruar nga inteligjenca artificiale me kampionin e shumëfishtë të Formula 1.

Revista e famshme gjermane “Die Aktuelle” promovoi në kopertinën e saj në prill 2023 fjalët: “Michael Schumacher, intervista e parë!”. Aty gjithashtu shkruhej “duket çuditërisht e vërtetë”, me citimet e supozuara që i atribuohen Schumacher, por të krijuara nga AI.

Sabine Kehm, zëdhënësja e familjes, i tha Associated Press me email të enjten se veprimi ligjor ishte i suksesshëm, pa bërë asnjë koment të mëtejshëm. Shuma e kompensimit thuhet se ishte 200 mijë euro.

Botuesi gjerman, revista Funke, i kërkoi falje familjes së Schumacher vitin e kaluar për artikullin dhe shkarkoi Anne Hoffmann, kryeredaktoren e Die Aktuelle. “Ky artikull pa shije dhe mashtrues nuk duhet të ishte shfaqur kurrë,” tha drejtoresha menaxhuese e Funke, Bianca Pohlmann, në atë kohë. “Ajo në asnjë mënyrë nuk i plotëson standardet e gazetarisë që ne dhe lexuesit tanë presim nga një botues si Funke”.

Pikërisht gjatë skiimit në Alpet Franceze në Meribel, Schumacher ra në koma në dhjetor 2013 dhe pësoi një dëmtim thuajse fatal në tru. Koka e tij goditi një gur që ia hapi helmetën. Që kur u transferua nga spitali në shtator 2014, shtatë herë kampioni i F1 është në përkujdesje private, në një shtëpi familjare në Zvicër.

55-vjeçari Schumacher ishte tërhequr nga F1 në vitin 2012 pasi fitoi 91 gara dhe pesë tituj radhazi me Ferrarin nga 2000-04. Dy titujt e tjerë të pilotit gjerman ishin me Benetton në 1994 dhe 1995.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore