Sport

FSHF e dërgon titullin e Superiores në tre qytete të ndryshme


Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) nëpërmjet Komitetit Ekzekutiv të saj, ka marrë vendimin për të dërguar titullin e Kategorisë Superiore në tre qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Vendimi për dërgimin e tre titujve në vende të ndryshme erdhi pasi në garë për fitimin e Kategorisë Superiore për edicionin 2020/21 janë katër ekipe: Teuta, Vllaznia, Partizani dhe Laçi.

Ditën e mërkurë të 26 majit, do të luhet java e fundit në Superiore për këtë sezon, ku do të mësohet edhe ekipi kampion.

Teuta që udhëheq kampionatin me 63 pikë, do të luajë në shtëpi përballë Apolonisë, që tanimë është zyrtarisht e rënë nga kategoria. Vllaznia e vendit të dytë, që ka po 63 pikë, do të ketë Laçin e vendit të katërt përballë. Miqtë kanë 61 pikë dhe gjithashtu janë në garë për titull.

Partizani i vendit të tretë dhe me 62 pikë do të udhëtojë në Ballsh, ku do të ndeshet me Bylisin vendas. Ballshiotët kanë 31 pikë, në vendin e nëntë dhe do të luajnë shanset për të arritur vendin e play off, që mbahet nga Kastrioti me 32 pikë.

Në ndeshjet e tjera, Kukësi do të përballet me Kastriotin dhe Tirana me Skënderbeun.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore