Kosova

Ligji për KPK-në rrezikohet sërish nga “ndikimet politike”, reformimi brenda këtij mandati “i pamundur”


Foto: Albanian Post.

Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), po vlerësohet që ka probleme të cilat cenojnë pavarësinë institucionale që i delegohet nga Kushtetua e Kosovës, madje në mënyrën siç është tani po konsiderohet se mundësohet ndikim i drejtpërdrejt politik nga Qeveria e Kosovës.

Si zgjidhje të kësaj situata opozita e ka parë dërgimin e këtij ligji sërish në Gjykatën Kushtetuese – pasi që nuk janë marrë për bazë rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Ky ligj ishte dërguar në Kushtetuese në mars të 2022-së, pasi që deputetët e opozitës shprehen shqetësimin e tyre për “cenimin e pavarësisë së prokurorisë”.

Për juristin, Ardian Bajraktari, kjo çështje është dashur të rregullohet pasi që udhëzimet e Kushtetueses dhe ato të Komisionit të Venecias, kanë qenë të qarta.

Dërgimi i të njëjtit ligj sërish në Kushtetuese, s’do të duhej të përsëritej.

“Vlerësoj se Kuvendi e ka pasur shumë të lehtë punën, për faktin se kanë qenë të qarta udhëzimet edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese edhe nga ana e Komisionit të Venecias, për adresimin e të cilave mjafton vullneti politik”, thotë Bajraktari për Albanian Post.

Ai kërkon që ky proces të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe transparent.

“Kur bëhet fjalë për reforma në fushën e drejtësisë, ekzekutivi si hartues e legjislativi si miratues i këtyre nismave, do të duhej të kishin angazhim shtesë për të siguruar gjithpërfshirjen, ndryshe reformat mund të mbeten në tentativë”.

Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Teksa, sqaron se s’ka ndonjë rregullore që e ndalon dërgimin e të njëjtit ligj në Kushtetuese.

“Paralajmërimi për dërgim të këtij projektligji në Gjykatën Kushtetuese, është në linjë me rolin që ka opozita dhe këtë çështje ua mundëson Kushtetuta, neni 113, dërgimi eventual në Gjykatë do të na bënte të kuptojmë se brenda këtij mandati do të jetë i pamundur reformimi i Këshillit Prokurorial”.

Bajraktari, shton se kjo reformë është “e nevojshme, e përgjegjës për këtë dështim natyrisht është shumica parlamentare”.

Ndërsa, sipas avokatit Florim Shefqeti, dërgimi i këtij ligji në Kushtetuese s’duhet të paraqesë problem për askënd.

Ai në një përgjigje me shkrim për Albanian Post thotë se kjo do të mundësoj që të sqarohen pretendimet që ka opozita.

“Konsiderojmë që dërgimi në Gjykatën Kushtetuese, s’do të paraqiste problem për asnjë palë sepse do të shuante secilin pretendim të palëve, aq më tepër kur kjo është edhe kërkesë e KPK-së”, deklaron ai.

Shefqeti deklaron se situata për rritjen e numrit të anëtarëve do të sqarohet pasi që Kushtetuesja të dalë sërish me një vendim të ri.

“Mbetet të shihet që njëra nga vërejtjet e dhëna për rritjen e numrit në 19 anëtarë sa do të ishte funksionale, duke qenë se nuk ka qenë më parë. Një çështje që besojmë që Gjykata Kushtetuese, do ta vlerësoj faktin e numrit të anëtarëve jo prokuror dhe impaktin e tyre në vendimmarrje”.

Përse e shpalli të pavlefshëm Kushtetuesja Ligjin për Këshillin Prokurorial?

Më 24 mars, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës – duke kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta rishikojë dhe ta harmonizojë ligjin në përputhje me konstatimet që kishin nxjerrë.

Nga Kushtetuesja disa nene të këtij ligji ishin vlerësuar në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas vendimit të Kushtetueses, ligji binte ndesh me nenet e Kushtetutës për formën e Qeverisjes dhe ndarjen e Pushtetit, kompetencat e kuvendit, rolin e avokatit të popullit, barazinë para ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.

Duke numëruar konstatimet për mospërputhshmëri me Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese kishte njoftuar se ka vendosur që “të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”.

Gjykata Kushtetuese.

Palët që kishin parashtruar kërkesën ishin ankuar edhe se ndryshimi i përbërjes zvogëlon proporcionin në mes të anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë, e, sipas pretendimeve, vendimmarrja e një institucioni të pavarur kushtetues do të nënshtrohej ndaj vullnetit politik të shumicës në Kuvend, që do t’i zgjidhte anëtarët joprokurorë të Këshillit.

Megjithatë, Gjykata ka konstatuar se përbërja, proporcioni në mes të anëtarëve prokurorë të përzgjedhur dhe joprokurorë, me garancitë për të shmangur “politizimin”, ky ligj s’ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.

Kërkesa e opozitës

Deputetët e opozitës kanë kërkuar që projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për disa arsyje.

Arsyeja e parë është që sipas tyre cenohet pavarësia e prokurorisë,

Ashtu si herën e parë, opozita beson se projektligji i ri cenon pavarësinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ata kanë thënë se ndryshimet e propozuara do të rrisin ndërhyrjet politike në sistemin prokurorial, duke e bërë atë më të varur nga qeveria dhe parlamenti.

Shqetësim tjetër i tyre ka qenë edhe përbërja dhe funksionimi sipas tyre këto ndryshime do të ndikojnë negativisht në funksionimin e drejtësisë dhe mund të krijojnë një sistem më të korruptuar dhe më pak efikas.

Foto nga përmbyllja e punimeve për ligjin e KPK-së.

Problem tjetër është edhe mungesa e konsultimeve dhe transparencës, nga partitë opozitare kanë theksuar se procesi i hartimit dhe miratimit të projektligjit ka qenë i shpejtë dhe pa konsultime të mjaftueshme me komunitetin ndërkombëtar, shoqërinë civile dhe profesionistët e drejtësisë.

Një tjetër arsye e opozitës është që projektligji i ri nuk adreson plotësisht vendimet dhe rekomandimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese

Nëse ky projektligj miratohet pa ndryshime të mëdha, sipas opozitës do të rrezikohet integriteti dhe paanshmërinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Më 19 prill, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte njoftuar se janë përmbyllur punimet për projektligjin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Ndërsa, ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, kishte kërkuar që projektligji për KPK-në të përputhet plotësisht me opinion e Komisionit të Venecias para se të miratohet si ligj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore