Euro 2024

Euro 2024: Shqipëria fiton Kupën e Tifozëve përballë Gjermanisë


Kombëtarja shqiptare e futbollit është pjesë e finaleve të Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”, teksa deri më tani ka luajtur dy nga tre sfidat në grupin B dhe të hënën do të zhvillojë ndeshjen e tretë ndaj Spanjës.

Sakaq, veç ndeshjeve finale të Evropianit që ka tërhequr vëmendjen e fansave në të gjithë botën, në Frankfurt të Gjermanisë është organizuar ditën e sotme nga UEFA dhe Federata Gjermane e Futbollit një turne për tifozët e futbollit, ku morën pjesë 8 ekipe nga Europa, ndër to edhe Shqipëria.

Drejtoria e Futbollit Amator në FSHF, në bashkëpunim me disa tifozë shqiptarë krijoi ekipin e tifozëve të Shqipërisë, që mori pjesë në këtë turne të formatit 9×9. Në grupin e Shqipërisë, shorti përcaktoi edhe skuadrat e Anglisë, Italisë dhe Ukrainës.

Në ndeshjet e luajtura në këtë grup, kuqezinjtë triumfuan në të treja sfidat, duke fituar 4-0 me Italinë, mposhtën 2-0 Ukrainën dhe triumfuan me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Anglisë.

Në gjysmëfinalet e këtij turneu historik të zhvilluar në ambientet e Federatës Gjermane të Futbollit në Gjermani, Shqipëria mundi Skocinë me rezultatin 4-0, duke siguruar kështu finalen e madhe përballë vendit organizator, Gjermanisë.

Një finale mjaft emocionuese dhe mjaft e luftuar si nga kuqezinjtë tanë ashtu edhe nga Gjermania. Takimi u zhbllokua vetëm në tre minutat e fundit nga Shqipëria, me kuqezinjtë që shënuan tre gola njëri pas tjetrit.

Me këtë fitore, ekipi i tifozëve shqiptarë, i krijuar rishtas këtë vit, arriti të marrë një kupë, e para në historinë në llojin e saj.

Lojtarët që shkruan historinë për Shqipërinë në këtë turne ishin: Shiqeri Alili, Naser Ilazi, Fatlum Ahmeti, Resul Ahmeti, Arton Tolaj, Shkelqim Hyseni, Astrit Hyseni, Sherif Krasniqi, Ilir Iberdemaj, Bujar Idrizi, Leonit Nuraj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore