Euro 2024

Gjeorgjia merr pikën e parë historike në Euro ndaj Çekisë


Gjeorgjia dhe Çekia hapën ditën e ndeshjeve në Euro 2024 këtë të shtunë, me një takim që më shumë fliste për çekët, por në fund u mbyll në barazim 1-1.

“Volksparkstadion” i Hamburgut priti takimin e javës së dytë në Grupin F mes Gjeorgjisë dhe Çekisë. Kjo ishte vetëm ndeshja e dytë për gjeorgjianët në një turne madhor si Euro dhe ata arritën të merrnin pikën e parë. Dhe, kjo më shumë falë portierit të tyre që bëri disa pritje të jashtëzakonshme.

Çekia nuk ishte në ditën e saj më të mirë, duke shpërdoruar raste të shumta, pavarësisht se dominoi kundërshtarin për gjatë gjithë 90 minutave.

Goli i parë i takimit do të shënohej me penallti nga gjeorgjianët. Ylli i Napoli-t, Khvicha Kvaratskhelia fitoi 11 metërsh në mintutën e dytë shtesë të pjesës së parë dhe dy minuta më vonë, Georges Mikautadze e shndërroi në gol.

Në kohën 48 minuta e 20 sekonda, Mikautadze ka realizuar golin e fundit në pjesën e parë të një ndeshjeje të Kampionatit Evropian (që nga viti 1980).

Mikautadze është bërë lojtari i gjashtë që shënon dy golat e parë të kombit të tij në Kampionatin Evropian, dhe i pari që nga Andriy Shevchenko në 2012 për Ukrainën.

Statistikat e ndeshjes (Sipas OPTA)

Megjithatë, Çekia nuk do të ndalte sulmet edhe gjatë pjesës së dytë, duke gjetur golin e barazimit me Patrik Schick në minutën e 59-të.

Me golin e realizuar, Schick bëhet vetëm lojtari i dytë me raportin më të mirë për gola/ndeshje në historinë e Evropianit. Michel Platini qëndron në krye me 9 gola në pesë ndeshje, ndërsa çeku ka gjashtë gola në shtatë ndeshje.

Dhe, me ato gjashtë gola, ylli i Bayer Leverkusen është lojtari me më shumë të tillë në dy turnetë e fundit Euro. Ai qëndron para Cristiano Ronaldo-s dhe Harry Kane-t, të dy me nga pesë gola.

Edhe pse çekia iu afrua golit në disa raste, portieri gjeorgjian dhe ylli i Valencia-s në La Liga, Giorgi Mamardashvili bëri disa pritje vendimtare. 23-vjeçari, i vlerësuar me notën 9.6 nga “Sofascore” për performancën e sotme, kreu 11 pritje, gjashtë prej të cilave brenda zonës së rreptësisë.

Mamardashvili regjistroi tetë pritje gjatë pjesës së parë, duke vendosur një rekord në Evropian të cilin e ndan me Gianluigi Donnarumma-n (ndaj Spanjës) dhe Thomas Strakoshën (ndaj Kroacisë).

23-vjeçari është bërë gjithashtu një nga katër portierët me më shumë pritje në Evropian. I pari është Aleksanders Kolinko i Letonisë në 2004 me 12 pritje. Me nga 11 pritje, po aq sa Mamardashvili, janë Francesco Toldo (Itali 2000) dhe Shay Given (Irlandë 2012).

Në sekondat e fundit të ndeshjes, Gjeorgjia mund të kishte shkaktuar surprizën e madhe, por Saba Lobjanidze humbi një rast të pastër shënimi.

Me një barazim 1-1 me Gjeorgjinë, Republika Çeke u bë skuadra e parë (që nga viti 1980) që nuk arriti të fitojë një ndeshje në të cilën pati 12 gjuajtje në Kampionatin Evropian.

Me rezultatin e arritur dhe pas dy ndeshjeve të luajtura, Gjeorgjia dhe Çekia kanë nga një pikë në renditje. Turqia dhe Portugalia kanë nga tre pikë dhe përballen me njëra-tjetrën duke filluar nga ora 18:00.

Grafiku i kërcënimeve sulmuese (Sipas OPTA)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore