Kosova

Dorëheqja e serbëve nga Policia në Veri – “disa kërkuan të kthehen”


Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Veri, Veton Elshani, ka thënë se disa policë serbë nga katër komunat veriore ishin të interesuar t’i veshin prapë uniformat e policisë, pasi o dorëhoqën gjatë vitit 2022, por sipas tij, një gjë e tillë është e pamundur.

“Policët të cilët kanë dhënë dorëheqje, iu është lëshuar vendimi. Të gjithë ata nuk do të kthehen më në detyrë. Ne kemi pasur disa policë të cilët kanë dhënë dorëheqje kanë bërë kërkesë për kthim, por është i pamundur”, tha Elshani për Kosovapress.

Ai ka shtuar se në momentin kur lëshohet vendimi për dorëheqje, nuk mund të kthehen më, derisa ka treguar se mbi 500 policë kanë dhënë dorëheqje, por ka theksuar se në mënyrë graduale është duke u bërë plotësimi i numrit të tyre.

Ndryshe, gjatë vitit 2022 në Veri, policët, gjyqtarët e punëtorë administrative patën dhënë dorëheqjet e tyre për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian patën shprehur zhgënjim pse Qeveria nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për ri-regjistrimin për targat.

Pas sugjerimeve të ndërkombëtarëve Kosova hoqi dorë nga implementimi i masave, por serbët nuk u kthyen në institucione.

Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht u ka bërë thirrje serbëve që të kthehen në institucione, por edhe Kosovës që ta mundësojë këtë kthim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore