Pajisje

Antivirusi Kaspersky ndalohet në SHBA


Administrata e Joe Biden ka njoftuar ndalimin total në SHBA të antivirusit të prodhuar nga kompania ruse Kaspersky Lab.

Gina Raimondo, Sekretarja e Tregtisë, ka thënë se “Rusia ka demonstruar se ka aftësinë dhe synimin për të shfrytëzuar kompanitë ruse si Kaspersky për të mbledhur dhe armatosur informacionin personal të amerikanëve”.

Kaspersky – një nga kompanitë më të mëdha të sigurisë kibernetike në botë, antivirusi i së cilës është ndër zgjidhjet kryesore në këtë sektor – ishte përfolur veçanërisht në afërsi të shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Disa ekspertë të sigurisë kishin theksuar rreziqet e mundshme për kompanitë perëndimore dhe administratën publike, edhe nëse kompania ruse i ka hedhur poshtë me forcë akuzat.

Kufizimet e reja, të cilat do të hyjnë në fuqi më 29 shtator, përfshijnë: ndalimin e shitjes së software-it Kaspersky në SHBA, bllokimin e shkarkimeve të përditësimeve të software-it, ndalimin mbi rishitjen dhe licencimin, si dhe kufizimet për produktet me etiketa që integrojnë Kaspersky.

Për më tepër, tre njësi të kompanisë do të shtohen në një listë të kufizimeve tregtare.

Kjo lëvizje është pjesë e përpjekjeve të administratës Biden për të parandaluar sulmet e mundshme kibernetike ruse dhe për të vazhduar presionin ndaj Moskës për luftën në Ukrainë.

Kaspersky, që gjeneroi të ardhura prej 752 milionë dollarë në vitin 2022, ka mohuar lidhjet me qeverinë ruse, por është vënë nën presion në rritje në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2017, kur Departamenti i Sigurisë Kombëtare ndaloi përdorimin e produktit të tij antivirus kryesor në kompjuterët dhe rrjetet federale.

Kompania e themeluar nga Eugene Kasperksy ia atribuoi vendimin “klimës aktuale gjeopolitike” dhe e quajti atë “të bazuar në shqetësime teorike, në vend të një vlerësimi gjithëpërfshirës të integritetit të produkteve dhe shërbimeve të Kaspersky”.

“Kaspersky nuk është i përfshirë në aktivitete që kërcënojnë sigurinë kombëtare të SHBA-ve dhe, në fakt, ka kontribuar ndjeshëm me raportimin dhe mbrojtjen e tij kundër një numri kërcënimesh që kanë shënjestruar interesat dhe aleatët e SHBA-ve. Kompania synon të ndjekë të gjitha opsionet e disponueshme ligjërisht për të ruajtur operacionet dhe marrëdhëniet e saj aktuale”.

“Për më shumë se 26 vjet, Kaspersky është angazhuar në misionin e saj për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt duke mbrojtur mbi një miliard pajisje”.

Kompania ruse, e cila ka një kompani britanike Holding dhe operon në Massachusetts, rendit kompanitë e mëdha evropiane si Piaggio e Italisë dhe Volkswagen e Gjermanisë në mesin e klientëve të saj.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore