Shqipëria

Vizita e gjeneralmajorit amerikan në Shqipëri, përforcim i partneritetit në mbrojtje


Këtë javë, gjeneralmajori i SHBA-ve Daniel Lasica, Drejtor i Politikave, Strategjisë, Planifikimit dhe Kapaciteteve të Komandës Evropiane vizitoi Tiranën.

Ai u takua me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, si dhe përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

“Kjo vizitë thekson angazhimin e Shteteve të Bashkuara për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me Shqipërinë”, shkruan Ambasada e SHBA-ve në Tiranë.

Gjithashtu thuhet se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për aleancën e NATO-s dhe qëndrimin e saj të fortë për sigurinë euroatlantike.

“Së bashku, ne qëndrojmë të bashkuar në mbështetjen tonë për Ukrainën dhe angazhimin tonë për ruajtjen e paqes, mbështetjen e ligjit ndërkombëtar dhe integritetin kufitar”.

Kujtojmë se gjatë bisedës, Presidenti i Republikës u shpreh se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë është shumë i rëndësishëm dhe në këtë kontekst vlerësoi rolin që Komanda Evropiane e SHBA-ve luan në nxitjen e bashkëpunimit dhe mbështetjen e Forcave të Armatosura Shqiptare.

Begaj, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë,  e cilësoi jetike mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për transformimin, modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve të ushtrisë shqiptare në përputhje me standardet e NATO-s.

Presidenti Begaj vlerësoi dhe stërvitjet e përbashkëta “Defender Europe”, drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA-së, në të cilat Shqipëria ka qenë dy herë mikpritëse.

Shqipëria është plotësisht e angazhuar për mbrojtjen kolektive, theksoi Presidenti i Republikës, duke rikonfirmuar mbështetjen ndaj Ukrainës, pasi, siç u shpreh ai, “po jetojmë në një kohë të paprecedentë për sigurinë Euroatlantike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore