Lajme

Foreign Policy: SHBA-të nuk vlerësohen askund më shumë se sa në Kosovë, por dashuria mes tyre po lëkundet


Ilustrim

Revista prestigjoze amerikane “Foreign Policy” i ka kushtuar një artikull ngjajshmërive mes Kosovës dhe Tajvanit – vështirësive për të arritur njohje të plotë ndërkombëtare dhe kërcënimeve nga Serbia dhe Kina – si dhe faktit se të dyja janë nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Në artikullin e revistës amerikane përmendet se si ish-udhëheqësit amerikanë – Bill Clinton dhe Madeleine Albright – nderohen si heronjë në Prishtinë, me statujën e bronztë të presidentit të 42-të SHBA-ve në “Bulevardin Bill Clinton” dhe me statujën tjetër të ish-Sekretares së Shtetit afër qendrës së kryeqytetit kosovar.

Megjithatë, kur përmenden tensionet e fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe paknaqësitë e administratës amerikane lidhur me veprimet e kryeministrit kosovar Albin Kurti në veriun e vendit, thuhet se marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe SHBA-vë tanimë kanë filluar të lëkunden, ndërsa Tajvani është duke i parë me shqetësim zhvillimet e fundit.

“Uashingtoni askund nuk vlerësohet më shumë se sa në kombin e vogël ballkanik të Kosovës. Në bulevardin Bill Clinton në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, një statujë e ish-presidentit të SHBA-ve u tund dorën kalimtarëve. Albright – në vitin 1999 shtyu ndërhyrjen e SHBA-ve kundër Serbisë në luftën e Kosovës – nderohet me një shesh të vogël dhe një bust pranë qendrës së qytetit. Por dashuria po lëkundet”.

Në artikull ndër të tjera thuhet se përveç përjashtimit nga stërvitjet ushtarake ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO-ja – masa e parë ndëshkuese ndaj Kosovës – gjatë periudhës së fundit është raportuar edhe për ngrirjen e përkohshme të shkëmbimeve diplomatike mes Prishtinës dhe Uashingtonit.

Kosova dhe Tajvani në fund të vitit 2021, kanë krijuar grupet e miqësisë në parlamentet e tyre respektive. Kjo ka shënuar edhe themelimin e grupit të parë të miqësisë mes Tajvanit dhe një shteti në Ballkanin Perëndimor me mbështetjen e SHBA-ve. Por të dyja kanë akses të limituar në organizatat ndërkombëtare, përfshirë atë të Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Edhe pse Kosova njihet nga më shumë se gjysma e 193 anëtarëve të OKB-së dhe Tajvani gëzon marrëdhënie të plota diplomatike me vetëm 13 shtete sovrane, të dyja vendet mbeten të bllokuara nga fqinjët armiqësorë dhe më të fuqishëm. Këto dy vende të mëdha—Serbia dhe Kina—e mohojnë de fakto pavarësinë e fqinjëve të tyre më të vegjël”.

Ndërkaq, aty thuhet se Kina ka qenë hapur në mbështetje të Serbisë prej viteve 1990 e tutje edhe përkundër faktit që shteti serb ka nisur dhe kryer disa luftëra në rajon, përfshirë edhe luftën e fundit në Kosovë. Gjithashtu aty përmendet edhe intervenimi humanitar i NATO-së në vitin 1999 dhe akuzat e shtetit kinez ndaj Perëndimit.

“Mbështetja e Kinës për Beogradin dhe kritikat e shpeshta ndaj NATO-s kanë një jehonë të veçantë kur bëhet fjalë për Kosovën. Bombardimi i ambasadës kineze në Beograd gjatë sulmeve ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë në luftën e Kosovës mbetet akoma në kujtesën e zyrtarëve kinezë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore