Lajme

Fondet e BE-së duhet të kushtëzohen me vlerat evropiane, sipas Kurtit


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën, në prag të takimit të liderëve rajonalë në kryeqytetin maqedonas, deklaroi se fondet e Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor duhet të kushtëzohen nga vlerat evropiane të shteteve përkatëse.

“Theksova se Plani i Rritjes së BE-së dhe Procesi i Berlinit duhet të përshpejtojnë anëtarësimin në BE dhe se fondet e BE-së duhet të lidhen me vlerat e BE-së”, shkroi kryeministri Kurti në vigjilje të takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin maqedonas për të diskutuar mbi të ardhmen e politikës së zgjerimit të BE-së dhe Planin e Rritjes së BE-së.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, do të jetë nikoqir i takimit që pritet të nisë në orën 09:50 në Shkup, ndërsa përveç kryeministrit Kurti, do të marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa prezent do jetë edhe James O’Brien, Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Eurazinë.

“Vendi i të gjitha shteteve të rajonit është në BE dhe ne kemi potencialin dhe lidershipin e nevojshëm për të marrë vendime të guximshme për një të ardhme më të mirë. Të gjithë ne – në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, kemi nevojë për unitet dhe stabilitet”, shkroi Kovaçevski, një ditë para takimit.

Gjashtë vendet e rajonit – Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshin investime prej 6 miliardë euro dhe akses në tregun e brendshëm të bllokut evropian në fusha të caktuara.

Miliardat e BE-së i bëjnë bashkë liderët rajonalë – Kosova e Serbia s’mund të përfitojnë pa i normalizuar raportet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore