Euro 2020

Finalja e Euro 2020 zhvendoset nga ‘Wembley’?


Kufizimet e Covid-19 në Angli mund të sjellin edhe ndryshimin e stadiumit të finales së Kampionatit Evropian të Futbollit, Euro 2020. Stadiumi i “Wembley” është parashikuar të mbajë finalen e 11 korrikut.

Sipas raportimeve nga “Times”, UEFA i ka kërkuar qeverisë britanike që të zbusë kufizimet për personat VIP që do të jenë të pranishëm në finale.

Britania ka vendosur karantinën dhe janë rreth 2 mijë e 500 zyrtarë të UEFA, FIFA, sponsorë, politikanë dhe gazetarë që do të jenë në finale, ku sipas rregullave të reja do të duhet t’i nënshtrohen karantinës.

Po sipas raportimeve të kësaj media, “Wembley” mund të humbasë finalen, nëse nuk pranohen kushtet e UEFA dhe ajo mund të organizohet në Budapest.

Kujtojmë që “Puskas Arena” në Budapest të Hungarisë është një nga 11 stadiumet pritëse të Euro 2020 dhe i vetmi që është i hapur në 100% të kapacitetit të tij për tifozët.

“Wembley” ishte propozuar si stadium pritës edhe për finalen e Ligës së Kampionëve midis Manchester City-t dhe Chelsea, por edhe atëherë qeveria britanike nuk ishte e gatshme të lehtësonte masat parandaluese mbi Covid-19 dhe ndeshja u zhvendos në Portugali.

Në krahun tjetër, Hungaria përveç lejimit të kapacitetit maksimal në stadium, po planifikon edhe lehtësimin e kontrolleve në pikat kufitare për udhëtaret brenda zonës Shengen.

Mbetet për t’u parë tashmë reagimi i qeverisë britanike në lidhje me këtë çështje, pasi në finale do të marrin pjesë personalitetet me ndikim të madh në futboll dhe Anglia do të ketë mundësin të tregojë se është e gatshme për të mirëpritur Kupën e Botës 2030. Si një nga opsionet e mundshme për organizmin e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore