Stil

Eurovizion fshin foton nga performanca e Ronela Hajatit


Faqja zyrtare e Eurovision-it ka fshirë nga rrjetet sociale foton nga prova e performancës së këngëtares shqiptare Ronela Hajati.

Vetëm pak ditë para netëve finale të Eurovisionit, i cili këtë vit do të mbahet më 10 maj në Torino të Italisë, provat e festivalit janë ekspozuar përmes një galerie me foto në faqen zyrtare në Instagram.

Fotot e këngëtares, e cila këtë vit përfaqëson Shqipërinë me këngën “Sekret” u fshinë, për t’u hedhur pak më vonë pa njërën prej tyre.

Kënga që do prezantojë Ronela në Festivalin Europian, ka siguruar mijëra pëlqime në rrjet, ndaj edhe lëvizja e fundit nga faqja zyrtare e Eurovision në Instagram i ka revoltuar fansat.

I pari që e vuri re dhe që ngriti pyetjen në rrjet ishte William Lee Adams, blogeri dhe moderatori i njohur i Wiwibloggs (faqja zyrtare e Eurovision).

Edhe një faqe në Instagram që i dedikohet përfaqësimit të Shqipërisë në Eurovision ka shfaqur hapur shqetësimin për këtë ngjarje.

“Mesditën e së dielës galeria e fotove të Ronelës u hoq nga llogaria zyrtare e Eurovizionit në Instagram. Më pas u ripostua, por pa foton e parë. Nuk është dhënë asnjë shpjegim dhe Shqipëria ishte i vetmi vend të cilit iu hoq postimi dhe u rihodh më vonë”, – thuhej në faqen e Eurovision Albania që theksonte se këngëtarja shqiptare mori vëmendje kudo, në të gjitha platformat sociale me performancën e saj.

Në foton e fshirë, Ronela shfaqet bashkë me katër balerinët, të cilët provokojnë me lëvizjet e tyre sipas faqes Eurovision-it.

Lidhur me këtë ngjarje, këngëtarja shqiptare ka reaguar duke postuar disa emoji duke qarë në profilin e saj në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore