Lajme

Eurodeputeti Mandl: Të liberalizohen vizat për Kosovën


“Liberalizimi i vizave është i vonuar dhe duhet të ndiqet tani”, ka thënë eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.

Në pesë vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Mandl përmes një shkrimi në Twitter ka thënë se Bashkimi Evropian duhet t’i liberalizojë vizat për Kosovën.

“Pesë vjet më parë hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Kosovën. Si marrëdhënia e parë kontraktuale midis BE dhe Republikës së Kosovës, ky ishte një moment historik i rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, Parlamenti Evropian më 25 mars ka mbështetur kërkesën për liberalizim të vizave për Kosovën.

Kështu ka thënë raportuesja e Kosovës në Parlamentin e Evropës, Viola von Cramon, përmes një postimi në Twitter.

“Në votimet plenare për raportin e Kosovës, shumica dërrmuese mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe i bëjë thirrje të veprojë Parlamentit të Bashkimit Evropian”, ka shkruar von Cramon.

Lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, kanë votuar gjithsejtë 472 eurodeputetë, 165 ishin kundër dhe 41 të tjerë kanë abstenuar.

Muajin e kaluar, Cramon në një intervistë për Albanian Post ka thënë se “Franca është vendi më i pabindur”, prandaj “është e rëndësishme të bindet qeveria franceze se Kosova është e gatshme për liberalizim të vizave”.

Ndryshe nga Franca, sa i përket Komisionit Evropian, Von Cramon ka theksuar se brenda këtij institucioni të Bashkimit Evropian gjërat janë të qarta – “Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore