Lajme

Parlamenti Evropian mbështet kërkesën për liberalizimin e vizave për Kosovën


Parlamenti Evropian ka mbështetur kërkesën për liberalizim të vizave për Kosovën.

Kështu ka thënë raportuesja e Kosovës në Parlamentin e Evropës, Viola von Cramon, përmes një postimi në Twitter.

“Në votimet plenare për raportin e Kosovës, shumica dërrmuese mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe i bëjë thirrje të veprojë Parlamentit të Bashkimit Evropian”, ka shkruar von Cramon.

Tutje ajo ka theksuar se për liberalizimin e vizave kanë votuar gjithsejtë 472 eurodeputetë, 165 ishin kundër dhe 41 të tjerë kanë abstenuar.

Po ashtu, gjatë raportimit në Parlamentin e Evropës, Cramon ka inkurajuar Kosovën të vazhdojë reformat e brendshme.

“Raporti inkurajon Kosovën të bëjë më shumë përpjekje për çështje të ndryshme të brendshme dhe lokale. Qeveria e Kosovës duhet të kalojë reformat dhe zbatojë ato vazhdimisht”, tha ajo.

Muajin e kaluar, Cramon në një intervistë për Albanian Post tha se “Franca është vendi më i pabindur”, prandaj “është e rëndësishme të bindet qeveria franceze se Kosova është e gatshme për liberalizim të vizave”.

Ndryshe nga Franca, sa i përket Komisionit Evropian, Von Cramon theksoi se brenda këtij institucioni të Bashkimit Evropian gjërat janë të qarta – “Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim”.

Paraqitjen e von Cramon, e ka kritikuar ashpër ministri i jashtëm serb, Nikolla Selakoviç, sipas të cilit paraqitja e eurodeputetes “ishte paradë e paragjykimeve dhe inatit politik jo vetëm për shkak të asaj që tha, por edhe për shkak të asaj që ajo nuk tha”, shkruan Tanjug.

“Sipas këndvështrimit të saj, vetë shpallja e Kosovës është një oaz ballkanike e euro-entuziazmit dhe një demokracie të lulëzuar dhe problemet kryesore janë ndotja e ajrit dhe dhuna ndaj grave”, tha Selakoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore