Lajme

Escobar është i pranishëm në ndërtesën ku po zhvillohet takimi Kurti-Vuçiç


Përfaqësuesi i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pak para orës 12 të mesditës, është parë duke hyrë në ndërtesën e Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme në Bruksel, aty ku po zhvillohet raundi i ri i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raportojnë mediat në Serbi.

Ndonëse SHBA-të nuk janë të përfshirë në mënyrë direkte në dialogun Kosovë-Serbi, arsyeja pse Escobar është parë duke u futur në ndërtesën ku po mbahet takimi Kurti-Vuçiç, ende është i paqartë.

Pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Ndryshe në Bruksel ka përfunduar rundi i parë i takimit trepalësh midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Siç mëson Radio Evropa e Lirë do të ketë takime dypalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësuesit e BE-së, me qëllim që liderët të takohen sërish gjatë ditës.

Escobar: Jemi për themelimin e Asociacionit

Ndryshe Gabriel Escobar, të mërkurën, menjëherë pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë të shkurtër për mediat e Kosovës, ku ka deklaruar edhe një herë se lider i procesit negociues është Bashkimi Evropian, porse SHBA-të e mbështesin dhe gjithashtu janë për themelimin e Asociacionit të Kosovës.

“Po, Asociacioni duhet të implementohet. Të implementohet brenda ligjeve të Kosovës, por po e ngritëm edhe këtë çështje. Jam në linje me BE-në”.

Sa i përket modelit, ai shtoi se “ka në Evropë ka shumë modele të tilla”.

Amerikani është ngutur të thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin shumë këtë formë të dialogut, porse nuk janë prijëse të tij.

“Ky është një proces i BE-së”, deklaroi, duket shtuar edhe se “duhet të qëndrojë në duart e Evropës”.

Gjithsesi, “ka mbështetjen e plotë të administratës amerikane”.

E gjithë ideja e këtij angazhimi diplomatik, Esocbar tha se është “të gjejmë zgjidhje që çon në stabilitet afatgjatë dhe normalizim”.

Për atë se çfarë pret nesër, tha shkurt se “nuk dua të paragjykoj bisedat”.

Megjithatë, shtoi se mund ta thotë qartë se ideja është “që të gjendet një zgjidhje” dhe se “për atë po shkojmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore