Lajme

Erden Atiq e Lulzim Hetemi “një hap larg” shkarkimit


Lulzim Hetemi dhe Erden Atiq

Të mërkurën e 16 janarit do të fillojë mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit.

Anëtarja e grupit iniciues për shkarkimin e Erden Atiq, Sanja Krtiniç ka konfirmuar të martën se mbledhja e nënshkrimeve do të nis nga ora 9:00 e mëngjesit në sallën e sporteve afër stacionit të autobusëve në këtë komunë.

Përveç konfirmimit, Krtiniç ka ftuar të gjithë qytetarët e Mitrovicës së Veriut që të mbështesin iniciativën e saj për mbledhjen e nënshkrimeve.

“Sinqerisht shpresoj se do të kemi një përgjigje të madhe nga qytetarët, që peticioni të nënshkruhet në kohë rekord në atë mënyrë që të paraqitet për shqyrtim”, potencoi ajo.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror Zgjedhor për të qenë i suksesshëm procesi i shkarkimit në Mitrovicë të Veriut nevojiten 3 mijë e 640 nënshkrime.

Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e Lulzim Hetemit, gjithashtu do të nis në orën 9:00 të mërkurën e 16 janarit.

Mbledhja e nënshkrimeve sipas iniciuesit të peticionit, Veselin Radoviç, do të organizohet para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit.

Edhe Radoviç ndërsa ka ftuar qytetarët të përkrahin peticioni ka thënë se “është koha e fundit të japim fund veprimeve që ata janë duke kryer kundër popullit serb”.

Në Leposaviq, sipas KQZ-së duhet të mblidhen 2 mijë e 689 nënshkrime në atë mënyrë që të iniciohet tutje procesi i shkarkimit të Lulzim Hetemit.

Grupi nismëtar, sipas Udhëzimit Administrativë për iniciativën qytetarëve për largimin e kryetarëve që do t’u hapte rrugë zgjedhjeve të reja në katër komunat në Veri, ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht.

Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja.

Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.

Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

Votimi organizohet nga KQZ-ja.

Sipas Udhëzimit Administrativ në fjalë votimi për largimin nga detyra të një kryetari komune duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit se është përmbushur kuota prej 20 për qind.

Nëse 50+1 për qind e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore