Lajme

Emiratet e Bashkuara Arabe pezullojnë bisedimet me SHBA-të për blerjen e avionëve luftarakë F-35


Një avion luftarak F-35 mbërrin në bazën e Gardës Kombëtare Ajrore të Vermontit në South Burlington, Vt., 19 shtator 2019.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pezulluar bisedimet me SHBA-të për marrëveshjen e saj prej 23 miliardë dollarësh për të blerë deri në 50 avionë luftarakë F-35 dhe armë të tjera në shenjë “fërkimi” në marrëdhëniet e shtetit të Gjirit me Washington-in.

Një zyrtar i Emirateve tha se Abu Dhabi kishte informuar SHBA-të se, “kërkesat teknike, kufizimet sovrane operacionale dhe analiza kosto-përfitim çuan në rivlerësim”.

Shitja e F-35 u ra dakord fillimisht vitin e kaluar nga administrata e ish-presidentit republikan Donald Trump pasi Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin. Por marrëveshja është vënë nën shqyrtim në rritje që kur presidenti demokrat Joe Biden mori detyrën.

John Mathieu, drejtori menaxhues i “Taqtile Inc.” me bazë në Seattle, përdor syze të realitetit të shtuar në stendën e tij në seksionin amerikan të Dubai Air Show në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, të martën, 16 nëntor 2021.

Abu Dhabi ka ngritur shqetësime në lidhje me kufizimet që Washington-i po kërkon të vendosë për përdorimin e avionëve luftarakë F-35 nga shteti i Gjirit. Ndërkohë, administrata Biden shqetësohet se përdorimi i teknologjisë Huawei 5G nga Emiratet e Bashkuara Arabe rrit rrezikun që informacione të ndjeshme të rrjedhin në Pekin.

Washington-i ka ushtruar presion mbi Emiratet e Bashkuara Arabe për të reduktuar ekspozimin e saj ndaj teknologjisë kineze të telekomunikacionit.

Gjenerali Kenneth F McKenzie – komandanti i komandës qendrore të SHBA-ve – tha këtë vit se ishte i shqetësuar për rrezikun e transferimit të teknologjisë, duke shtuar se SHBA-të “po punonin shumë si brenda Shteteve të Bashkuara ashtu edhe me partnerët tanë të Emirateve të Bashkuara Arabe për të siguruar që kjo të zgjidhet në mënyrë të kënaqshme“.

Zyrtarët rusë zbulojnë një model të avionit luftarak Sukhoi Su-75 Checkmate, një konkurrent i amerikanit F-35, të pasqyruar në tavan, në Dubai Air Show në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, të dielën, 14 nëntor 2021.

Por ndërsa bisedimet janë zvarritur, Emiratet e Bashkuara Arabe – një aleat kritik i SHBA-ve në botën arabe – janë frustruar nga presioni teksa përpiqet të vendosë një ekuilibër në marrëdhëniet e saj me Washington-in dhe Pekin-in, partnerin e tij më të madh tregtar.

Zyrtarët e Emirateve kanë argumentuar se ka pak alternativa me kosto efektive për teknologjinë 5G të Huawei-t dhe janë të shqetësuar për tërheqjen në një luftë të re të ftohtë midis SHBA-ve dhe Kinës.

Vendimi për të pezulluar bisedimet, i raportuar fillimisht nga “Wall Street Journal”, vjen pak më shumë se një javë pasi Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan një marrëveshje prej 17 miliardë eurosh me Francën për të blerë 80 avionë “Rafale” dhe 12 helikopterë “Caracal” të prodhuar nga grupet franceze “Dassault Aviation” dhe “Airbus”.

Avionët luftarakë F-35 të Forcave Ajrore fluturojnë mbi një lojë bejsbolli stërvitor pranveror midis Texas Rangers dhe Chicago Cubs të enjten, 27 shkurt 2020, në Surprise, Ariz.

Sheikh Mohamed bin Zayed al-Nahyan, princi i kurorës së Abu Dhabi-t dhe udhëheqësi de facto i Emirateve të Bashkuara Arabe, ka krijuar një marrëdhënie të thelluar me presidentin francez Emmanuel Macron, veçanërisht për çështjet e sigurisë.

Në të njëjtën kohë, ka një shqetësim në rritje për mosangazhimin e perceptuar të SHBA-ve nga rajoni dhe angazhimin e saj ndaj partnerëve të saj arabë – një shqetësim i përkeqësuar nga tërheqja kaotike nga Afganistani.

Një person i informuar mbi pozicionin e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se Abu Dhabi ishte i bindur se çështjet që lidhen me shqetësimet e Washington-it mbi 5G të Huawei-t mund të zgjidheshin.

Një modul i ekuipazhit Orion, djathtas, pjesë e Sistemit të Nisjes Hapësinore të NASA-s (SLS) dhe avion luftarak Lockheed Martin F-35, majtas, të ekspozuara në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë në Washington në “Made in America”, vitrinë e produkteve me artikuj të krijuar në secilin prej 50 shteteve të SHBA-VE, e hënë, 23 korrik 2018.

Por shqetësimi kritik ishte nëse SHBA-të do të vendosnin kufizime se si dhe kur Emiratet e Bashkuara Arabe mund të përdorin F-35.

“Nga perspektiva e Emirateve, ata duan marrëdhëniet më të forta të mundshme me SHBA-të”, tha një zyrtar i Emirateve., duke ngritur pyetjen se, “a janë SHBA-të të gatshme të reagojnë dhe të angazhohen? Emiratet e Bashkuara Arabe duan një angazhim të fortë për sigurinë reciproke në rajon”.

Zyrtari i Emirateve tha se të dy shtetet “po punonin drejt një mirëkuptimi që do të adresonte kushtet reciproke të sigurisë së mbrojtjes për blerjen”.

N`jë F-16 ngrihet me pas djegës që shkëlqejnë nga baza e Gardës Kombëtare Ajrore në South Burlington, Vt. Debati mbi avionët luftarakë F-35 në bazën e Gardës Kombëtare Ajrore në Aeroporti Ndërkombëtar i Burlingtonit ishte një nga historitë kryesore të vitit për Vermontin.

“SHBA-të mbeten ofruesi i preferuar i Emirateve të Bashkuara Arabe për kërkesat e avancuara të mbrojtjes dhe diskutimet për F-35 mund të rihapen në të ardhmen”, tha zyrtari.

Në një deklaratë, SHBA-të deklaruan se, “administrata Biden-Harris mbetet e përkushtuar ndaj shitjeve të propozuara të avionëve F-35, MQ-9B dhe municioneve, edhe pse ne vazhdojmë konsultimet për të siguruar që të kemi një mirëkuptim të qartë dhe të ndërsjellë të Emirateve për detyrimet dhe veprimet para, gjatë dhe pas dorëzimit. Ne shpresojmë se mund të punojmë për çdo çështje të pazgjidhur dhe presim me padurim Dialogun e Përbashkët Ushtarak SHBA-Emiratet e Bashkuara Arabe më vonë këtë javë”.

Marrë nga The Financial Times, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore