Tregjet

SIPRI: SHBA eksportuesi më i madh i armëve


Më shumë se një e treta e armëve të shitura në botë në pesë vitet e fundit janë prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjysma e tyre furnizon Lindjen e Mesme.

SHBA-ja përllogaritet të ketë shitur 37% të armëve në botë për vitet 2016-2020, në 96 shtete të ndryshme.

Të dhënat janë bërë të ditura nga Stockholm International Peace Research Institute (SIPRI). Raporti tregon se SHBA-ja ka një rritje prej 15% në eksportin e armëve krahasuar me periudhën 2011-2015. Sipas raportit, gjysma e këtyre armëve shkon në Lindjen e Mesme.

Për herë të parë tregtia e armëve në botë nuk njohu rritje në nivel global. Kjo është hera e parë në një dekadë që nuk ka rritje nga pesëvjeçari paraardhës.

Mes shteteve më të mëdha eksportuese të armëve janë edhe dy shtete evropiane, respektivisht Franca dhe Gjermania. Këto dy shtete kanë patur gjithashtu rritje të eksporteve, por janë balancuar nga rënia e eksporteve të Rusisë dhe Kinës.

Rusia vazhdon të ruajë vendin e dytë në listën e eksportuesve, me Francën që zë vendin e tretë. 

Në anën tjetër, vendin e parë mes importuesve e zë Arabia Saudite. Vendet e Lindjes së Mesme shënuan rritje me 25% në blerjen e armëve. 

Sauditët e rritën nivelin e importeve me 61%. Shteti me rritjen më të madhe ishte Katari, me 361% më shumë importe se periudha 2011-2015.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nënshkruar së fundmi një marrëveshje me SHBA-në për të blerë 50 avionë ushtarakë të modelit F-35. Së bashku me 18 dronë të armatosur, avionët janë pjesë e një pakete prej 23 miliardë dollarësh.

Azia dhe Oqeania ishin blerësit më të mëdhenj të armëve të mëdha, duke marrë 42% të armëve në vitet 20116-2020. “Për shumë prej shteteve në këtyo dy rajone, arsyeja për rritjen e armatimit është perceptimi i shtuar i Kinës si një kërcënim”, u shpreh Siemon Wezeman, kërkues pranë SPIRI-t.

Instituti tha se është shumë herët për të parë nëse recesioni nga pandemia do të ndikojë edhe në tregtinë botërore të armëve.

“Ndikimi ekonomik i Covid-19-ës mund të detyrojë shumë shtete të rikonsiderojnë politikat e tyre të armatimit në vitet në vijim. Megjithatë, në të njejtën kohë, edhe në mes të pandemisë në vitin 2020, shumë shtete kanë nënshkruar marrëveshje të majme për blerjen e armëve”, tha Wezeman-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore