Shqipëria

Inflacioni bazë në ulje, kap minimumin e ri në dy vitet e fundit


Muaji mars pa një ulje të mëtejshme të inflacionit bazë, duke bërë kështu që të forcohet besimi se rritja  e çmimeve në ekonomi, për momentin, po kthehet brenda objektivit.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë në muajin mars zbriti në 2.73%, nga 2.91% që kishte qenë në muajin shkurt. Kështu, inflacioni bazë ka arritur nivelin më të ulët që prej shkurtit të vitit 2022.

Më tej, edhe inflacioni mesatar bazë i tremujorit të parë shënoi rënie të ndjeshme në 2.85%, nga 3.42% që kishte qenë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. I matur për tremujorin, inflacioni bazë ndodhet në nivelin më të ulët që prej tremujorit të fundit 2021.

Mënyra se si llogaritet inflacioni bazë, është duke bërë bilancin për një grup mallrash, të cilat zënë rreth 70% të peshës në shportën e përgjithshme të Indeksit të çmimeve për konsumatorët.

Kryesisht, nga llogaritja përjashtohen ato produkte që zakonisht kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike. Qëllimi i llogaritjes së inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër.

Megjithëse Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet e brendshme inflacioniste ngelen të larta, kryesisht për shkak të trysnisë që vjen nga tregu i punës, inflacioni bazë po ndjek një trajektore rënëse, por duke ngelur sidoqoftë në nivele më të larta se inflacioni i shportës së plotë të çmimeve të konsumit.

Nga ana tjetër, Instituti i Statistikave, INSTAT, zbuloi se në muajin mars inflacioni zbriti në 2.3%, në nivelet më të ulëta prej pothuajse tre vjetësh. Megjithatë, kontributin kryesor e ka dhënë ulja e ndjeshme e inflacionit të importuar, për shkak të rënies së çmimeve të mallrave në tregjet botërore dhe efektit të forcimit të Lekut në kursin e këmbimit valutor.

Rënia e inflacionit, që ka shkuar edhe përtej pritshmërive, siç ka bërë me dije Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në muajin mars, po ndryshon edhe skenarët e politikës monetare. Në mbledhjen e muajit mars, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë normën bazë të interesit të pandryshuar, në nivelin 3.25%. Nëse deri në fund të vitit të kaluar pritej një rritje e mëtejshme e normave të interesit, për momentin një skenar i tillë duket se po shkon drejt arkivimit.

Madje, ka analistë që mendojnë se Banka e Shqipërisë tashmë mund të fillojë të mendojë për uljen e normave të interesit, duke marrë në konsideratë rënien e inflacioni poshtë objektivit, por edhe tendencat e mëtejshme mbiçmuese të kursit të këmbimit të Lekut.

Megjithatë, ka edhe nga ata analistë që besojnë ende se këtë vit mund të kemi raunde të reja të rritjes së inflacionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore