Sport

‘Emery Liga’, Villarreal-i rrëmben të parin trofe në Europë


Janë dashur 120 minuta lojë dhe ekzekutimi i 22 penalltive në Gdansk të Polonisë, për të mësuar fituesin e Ligës së Europës, për sezonin 202/21. Villarreal-i i trajnerit Unai Emery ia ka dal të fitojë të parin trofe të rëndësishëm në historinë 98-vjeçare të klubit.

Finalja e Ligës së Europës u mbajt në stadiumin “Energa” të Gdanskut në Poloni, një finale anglezo-spanjolle. Manchester United-i i Ole Gunnar Solskjaer-it, nuk ia doli përballë Nëndetëses së Verdhë spanjolle.

Koha e rregullt e ndeshjes përfundoi në barazim 1-1. Fillimisht ishte Villarreal-i që kalonte në avantazh, me anë të të përherëshmit, Gerard Moreno. Moreno shënoi në minutën e 29-të të pjesës së parë, pas asistit të Dani Parejo-s.

Ndeshja u barazua në minutën e 55-të nga United-i. Edinson Cavani arriti të realizonte, pas asistit të Scott McTominay-t. Minutat e mbetura të takimit, nuk prodhuan ndryshim rezultati dhe ndeshja shkoi drejt 30-të minutave shtesë, por as ato nuk mjaftuan që të realizohej gol.

Ishin penalltitë ato që do të vendosin se cili ekip do e merrte trofeun për këtë sezon. Në total u ekzekutuan 22 të tilla. Villarreal-i shënoi 11 herë, ndërsa United-i 10 herë. Penalltia e humbur nga portieri, David de Gea, u dha trofeun bashkëkombësve të tij.

Villarreal-i arrin të fitojë kështu trofeun e parë të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare dhe jo vetëm, pasi edhe në Spanjë, ata ende nuk kanë arritur të fitojnë trofe të rëndësishëm si La Liga, Kupa apo Superkupa.

Ndërsa, tekniku i Villarreal-it, Emery, konfiromohet si eksperti i Ligës së Europës. Ai e fiton këtë trofe për herë të katërt në karrierë nga pesë finalet e luajtura.

Tre herë e ka fituar me Sevilla-n dhe tanimë edhe me Villarreal-in. Finalen e vemte e ka humbur në kohën kur drejtonte Arsenal-in dhe përballë gjente Chelsea-n e Maurizio Sarri-t.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore