Lajme

Elisabeth Borne, kryeministrja e re e Francës


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka emëruar Ministren e Punës, Elisabeth Borne, si kryeministre të re të vendit, gruaja e parë që mban postin pas tri dekadash.

Kjo pasi kryeministri në largim, Jean Castex ,dorëzoi dorëheqjen e tij të hënën, duke krijuar terrenin për një riorganizim të kabinetit ndërsa Macron fillon punën e tij në mandatin e dytë.

“Ekologjia, shëndetësia, arsimi, punësimi i plotë, ringjallja demokratike, Evropa dhe siguria: së bashku, me qeverinë e re, ne do të vazhdojmë të veprojmë pa u lodhur për popullin francez”, tha presidenti francez, Emmanuel Macron, në Twitter menjëherë pas emërimit të Borne.

Macron dhe Borne pritet të emërojnë qeverinë e plotë në ditët në vijim.

Borne është gruaja e dytë që mban postin e kryeministres në vend pas Edith Cresson, e cila shërbeu nga viti 1991 deri në 1992 nën presidentin socialist, Francois Mitterrand.

Si ministre e Punës që nga viti 2020, Borne zbatoi ndryshime që e bënë më të vështirë për të papunët marrjen e përfitimeve dhe uli pagesat mujore për disa të papunë, duke nxitur kritika nga sindikatat e punëtorëve dhe nga e majta.

Në vitin 2018, si Ministre e transportit, Borne u përball me një grevë të madhe nga kompania hekurudhore SNCF kundër planeve për të hapur rrjetin e trenave ndaj konkurrencës dhe për t’i dhënë fund të drejtës së punonjësve të sapopunësuar për të mbajtur punë dhe përfitime për jetën.

Borne ishte në fillimet e karrierës së saj pranë të majtës tradicionale.

Ajo punoi veçanërisht si shefe e stafit të politikanes socialiste Ségolène Royal, dhe më pas si ministre e Ekologjisë nën Presidentin Francois Hollande.

Borne më pas u bë CEO e kompanisë shtetërore të transportit RATP, e cila operon metronë e Parisit.

Ajo iu bashkua partisë qendrore të Macron në 2017.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore