Lajme

Edukatorja godet me shuplakë një fëmijë në një çerdhe në Mitrovicë


Çerdhe “Nina” në Mitrovicë.

Të hënën e 20 shkurtit, një fëmijë është sulmuar fizikisht në çerdhën “Nina” në Mitrovicë nga edukatorja e këtij institucioni.

Lajmi është kumtuar nga pronarja e këtij institucioni, Agnesa Shipoli Nika.

“Më datën 02.02.2023 në Institucionin tonë parashkollorë “Kopsht dhe Çerdhe Nina”, me pronare Agnesa Shipoli Nika, ka ndodhur sulmi fizik ndaj fëmijut S.I nga ana e edukatores A.A, e cila është edukatore e punësuar në institucionin tonë”, thuhet në komunikatën e publikuar nga ky institucion.

Nga drejtoresha, është thënë se pas informimit për këtë rast është bërë shiqimi i vdeo-kamerave të institucionit me ç’rast është vërtetuar se edukatorja e kishte qëlluar fëmijën me S.I me një shuplakë në fytyrë.

Dokument i publikuar nga çerdhja “Nina”.

Për këtë rast Nika ka thënë se e ka ftuar edukatoren në fjalë për t’i kërkuar sqarim lidhur me sjelljen e saj të kundërligjshme.

”Nisur nga fakti se sjelljet e tilla janë të papranueshme në institucionin tonë dhe njëherit janë sjellje kundërligjore, pa humbur kohë kam kontaktuar me prindin e fëmijës V.I, të cilin e kam njoftuar lidhur me rastin që ka ndodhur duke i ofruar dëshmitë e nevojshme në dispozicion”, është shprehur tutje pronarja e çerdhes.

Gjithashtu, ajo ka thënë se prindin e fëmijës e ka inkurajuar që rastin ta inicioj në Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës deri në zbardhjen e plotë të tij.

“Personalisht, po atë ditë kam dhënë deklaratën në Policinë e Kosovës, ku kam paraqitur të gjitha provat materiale lidhur me rastin dhe kam shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me organet e rendit në cdo kohë”.

“Me anë të kësaj komunikate shprehi keqardhje që një rast i tillë ka ndodhur në institucionin tim dhe me anë të këtij vetëdeklarimi siguroi prindërit dhe opinionin se sjelljet e tilla janë të patolerueshme në institucionin tonë. Për sjelljet e tilla nuk kam heshtur dhe nuk do të hesht asnjëherë”.

Edhe më 27 nëntori, në media ishte publikuar një video ku logopedi I.F nga Gjilani kishte abuzuar psiqikisht në ordinancën e tij një fëmijë 5 vjeçar të diagnostikuar me autizëm.

I.F, përveç se udhëhiqte ordinancën e vet, ishte emëruar edhe ud. i shefit të shërbimit të Logopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Pranvera Zejnullahu-Raçi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore