Lajme

Edhe princ Harry në botën e teknologjisë


Princi Harry pas mbërritjes zyrtare në California i bashkohet startup-it në Silicon Valley, BetterUp, si zyrtari i saj kryesor i ndikimit.

Agjencia e lajmeve, CNN, zbulon se kompania dhe një zëdhënës i Harry-t kanë konfirmuar rolin e ri të princit.

Lidhur me startup-in, BetterUp-i ofron trajnime dhe shërbime të shëndetit mendor në mënyrë të personalizuar për klientët me ndihmën e teknologjisë së inteligjencës artificiale dhe ekspertëve të sjelljes njerëzore. Tanimë, në faqen zyrtare të kompanisë në internet, Harry renditet si pjesë e ekipit të saj drejtues.

Kompania e përshkruan princin si humanitar veteran dhe si avokat i shëndetit mendor.

Bashkimi i Harry-t me kompaninë e shërbimeve të shëndetit mendor vjen pas një deklarate të fortë që princi dhe dukesha e Sussex-it, Meghan. Gjatë intervistës së dhënë për Oprah Winfrey, ata bënë të ditur vendimin e tyre për t’u larguar nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga rolet e larta në familjen mbretërore britanike.

Me jetën e tyre të re në California, çifti adresoi edhe presionin që kishte jeta mbretërore në shëndetin e tyre mendor.

Për sa i përket pozicionit të Harry-t te BetterUp-i, pritet që princi të ketë kontribut në vendimet strategjike mbi produktet dhe të mbrojë publikisht tema që kanë lidhje me çështje të shëndetit mendor. Gjithashtu ai do të merret edhe me bamirësi.

“Ajo që tërhoqi vëmendjen time në lidhje me BetterUp-in është se misioni i kompanisë për të zbuluar potencialin e njerëzve kudo që ndodhen, kërkon nevojën për inovacion, ndikim dhe integritet. Dhe ekipi i tyre e ka dëshmuar këtë me punë për vite me radhë”, ka thënë princ Herry.

Ai ka treguar se ka përfituar edhe vetë nga shërbimi i BetterUp-it.

“Personalisht kam parë që puna me një trajner të BetterUp-it është e paçmuar”, ka treguar Harry duke shtuar se trajneri i tij i ka ofruar këshilla tepër të vlefshme dhe një perspektivë të re.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore