Kosova

Edhe një Ligj në Kushtetuese, çfarë deklaronte Kurti?


Albin Kurti

Edhe një Ligj i hartuar nga Qeveria e Kosovës ai për Pagat u dërgua në Gjykatën Kushtetuese për verifikim, pas një mori Ligjesh tjera të adresuara në Kushtetuese nga partitë opozitare.

Ndryshe nga herët e kaluara, Ligji për Paga nuk u kontestua në Kushtetuese nga ana e partive opozitare, por nga Avokati i Popullit, pas ankesave të shumta nga akterë të ndryshëm shoqërorë.

Avokati i Popullit, përmes një njoftimi, të premten, kishte bërë të ditur se pas ankesave të pranuara nga institucione të shumta, të cilët kishin arritur në mbi 100, kishte vendosur të dërgoi në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Paga.

Ankesa tek Institucioni i Avokatit të Popullit kishin deponuar Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarë komunalë të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, Instituti Kosovar i Drejtësisë, infermierët, mjekë që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësorë, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, Sindikata e Policisë së Kosovës.

“Si dhe Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Ekspertë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e institucionet e grupe të tjera”.

Por, çfarë deklaronte Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kontestimin e Ligjeve të hartuara nga Qeveria të cilën e drejton vetë ai, i cilësonte si sabotim nga ana partive opozitare.

Sipas shefit të ekzekutivit, qëllimi i partive opozitar ishte paralizimi i punës së Qeverisë së Kosovës.

Në mbledhjen e 130-të të Qeverisë së Kosovës, Kurti i indinjuar me veprimet e ndërmarra nga partitë opozitare thoshte se në historinë 15 vjeçare të shtetit të Kosovës nuk mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese brenda një kohe kaq të shkurtër.

Opozita optimiste

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, kishte përshëndetur kërkesën e Avokatit të Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën të Ligjit të Pagave.

Kushtetuesa, sipas Tahirit, do të vërtetojë se përmes këtij Ligji është synuar rrënimi i pavarësisë së institucioneve themeltar si Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit, gjyqësori si dhe vet administrata publike.

“Do të konstatohet se janë shkelë parimet bazë të të drejtave kushtetuese, të drejtave të njeriut, ku pagat mund të ulën vetëm në rrethana të jashtëzakonshme. As 220 faqe nuk do të mjaftonin se sa thellë shkelin në rend, siguri e kushtetutë. Pra do të konstatohet kontrabanda, politizimi dhe mësymja për dominim. Shkurt edhe një hap i shëmtuar dhe përjashtues”, kishte shkruar Tahiri.

Në anën tjetër, anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri, në një intervistë për KosovaPress, ka deklaruar se pret që Gjykata Kushtetuese ta rrëzoj Ligjin për Pagat, pasi sipas tij vetëm në këtë mënyrë do të vendosej drejtësi për të punësuarit e sektorit publik.

“Ne besojmë që Gjykata Kushtetuese do të jap drejtësi, do të rrëzojë këtë ligj dhe do të ruajë të drejtat e punëtorëve në sektorin publik në atë mënyrë që paga e tyre të jetë e dinjitetshme për punën që ata e bëjnë dhe po ashtu të mos ketë kaq shumë diskriminime në sektorin publik ashtu siç ka propozuar kjo qeveri. Prandaj, ne presim që Gjykata Kushtetuese ta kthejë prapa është këtë ligj duke vërtetuar edhe njëherë se kjo qeveri vazhdon të jetë një shkelëse serike, përsëriste, recidiviste e Kushtetutës”, ka thënë Tahiri për KP.

Besnik Tahiri

Çfarë ndodhi?

Përveç Ligjit për Paga i cili u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Avokatit të Popullit, deri më tani partitë opozitare kanë kontestuar Ligjin për Këshillin Prokurorial, atë për Zyrtarët Publikë, Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Ligjin për Ligjin për Masat e Përkohshme Mbrojtëse për Furnizim me Produkte Themelore për Qytetarët, duke i dërguar të njëjtat në Gjykatë Kushtetuese.

Ndërsa deri më tani Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim vetëm për Ligjin për Këshillin Prokurorial të cilin e ka cilësuar si anti-kushtetues.

Prej kur u bë gabim që të konsultohet Kushtetuta?

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore