Lajme

Avokati i Popullit dërgon në Kushtetuese Ligjin për Paga


Gjykata Kushtetuese

Avokati i Popullit, të premten, e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Paga.

Dërgimi i Ligjit për Paga në Kushtetuese ka ardhur si rrjedhojë e ankesave të palëve që i ishin drejtuar Avokatit të Popullit me kërkesën që Ligji të dërgohej në Kushtetuese.

Ankesa tek Institucioni i Avokatit të Popullit kishin deponuar Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarë komunalë të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, Instituti Kosovar i Drejtësisë, infermierët, mjekë që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësorë, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, Sindikata e Policisë së Kosovës.

“Si dhe Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Ekspertë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e institucionet e grupe të tjera”.

Sipas këtij institucioni ankesat e pranura nga institucione të ndryshme kanë arritur në mbi 100.

Ndryshe me Ligjin për paga vlera e koeficientit të pagës në sektorin publik është caktuar të jetë 105 euro.

Ky Ligj kishte hyrë në fuqi nga data 5 shkurt e këtij viti.

Ligjet e hartuara nga Qeveria e Kosovës, janë kontestuar edhe nga partitë opozitare.

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dërguar në Kushtetuese, Ligjin për Këshillin Prokurorial, atë për Zyrtarët Publikë, Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Ligjin për Masat e Përkohshme Mbrojtëse për Furnizim me Produkte Themelore për Qytetarët.

Ndërsa deri më tani Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim vetëm për Ligjin për Këshillin Prokurorial të cilin e ka cilësuar si anti-kushtetues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore