Lajme

Opozita po provon të na paralizojë, thotë Kurti


Albin Kurti

Në mbledhjen e 130 të Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thumbuar partitë opozitare, të cilët, sipas tij, gati çdo ligj të miratuar nga Qeveria e Kuvendi i Kosovës e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Kontestimi i tyre nga partitë opozitare, sipas Kurtit, është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave.

Sipas tij Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka dëshmuar bindshëm dhe në vazhdimësi vullnetin për të luftuar krimin dhe korrupsionin si dhe për reforma në drejtësi dhe në administratën publike.

“Kemi miratuar edhe ligjet e tjera që do ta jetësojnë reformat e programit tonë qeverisës dhe ndryshimin për të cilin qytetarët tonë votuan. Ligji për Këshillin Prokurorial që parasheh reformën në sistemin e drejtësisë, Ligji për Zyrtarët Publik që parasheh reformën në Administratën Publike, dhe Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme që parasheh luftimin e korrupsionit dhe padrejtësive janë disa prej këtyre”, ka thënë fillimisht Kurti.

“Megjithatë, jo për rastësi të tre këto ligje së bashku me Ligjin për Masat e Përkohshme Mbrojtëse të Furnizimit me Produktet Themelore për qytetarët nëpërmjet të cilit bëhej parandalimi i abuzimit me rritjen e çmimeve të produkteve bazë janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga partitë opozitare. Madje ligji për Këshillin Prokurorial ka më shumë se gjashtë muaj që është në trajtim”.

Sipas Kurtit në historinë 15 vjeçare të shtetit të Kosovës nuk mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese brenda një kohe kaq të shkurtër.

Së fundmi Partia Demokratike e Kosovës, e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore