Shqipëria

Edhe këtu në Bruksel nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari, thotë Rama


“Jua kam thënë dhe po e përsëris, përkundër optimizmit të ngutur të disave edhe këtu në Bruksel nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari. Por nëse do të zgjidhet do të jetë një motiv për të marrë frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje”.

Kështu është shprehur për mediat kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mëngjesin e 23 qershorit, i cili ndodhet në Bruksel në kuadër të samitit dyditor të Bashkimit Evropian.

Duke ironizuar qëndrimin e vendeve anëtarë të BE-së, sipas Ramës vetoja Bullgare po mban peng dy vende të NATO-s dhe kjo po ndodh “nën sytë” e 26 vendeve të tjera anëtare të BE-së.

“Është turp që Bullgaria rrëmben dy vende të NATO-s në mes të një lufte të nxehtë në Evropë. Kjo situatë po ndodh nën vështrimin e 26 shteteve të tjera, që shohin si yjet që rrinë e vështrojnë në romanin e famshëm”, u shpreh Rama.

I pyetur nga mediat se nëse mendon se Shqipëria është viktimë e vetos Bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, Rama e tha i prerë: “Jo”.

“Nuk do jemi kurrë viktimë sepse e dimë se në këtë rrugë është një Bullgari këtu, një atje. Ne nuk e ndryshojmë qëndrimin tonë. Duhet të vazhdojmë të ndërtojmë Evropën në shtëpinë tonë”.

Kreu i qeverisë theksoi se “Open Balkan” është përgjigja e vërtetë ndërsa rruga e integrimit do vazhdojë. Por, vijoi se, shpirti evropian duhet të ndërtohet në rajon dhe “nuk do të presim Evropën që ta bëjë këtë”.

Nga Brukseli, ai deklaroi sërish se “Open Balkan” është i hapur për këdo. Kujtojmë se kjo nismë rajonale ka bërë bashkë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, të cilat kanë për synim lëvizje të lirë të mallrave dhe njerëzve pa pengesa kufitare, ndërsa Kosova Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina nuk e kanë përqafuar këtë nismë.

Ndër të tjera Rama u shpreh se Shqipëria ka tetë vite që e ka marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa Maqedonia e Veriut 17 vite dhe akoma negociatat nuk janë hapur.

“Jemi në ulëset e para sepse çdokush duhet të ngasë makinën e vet dhe Shqipëria po bën pjesën e vetë, sepse na e kërkon Brukseli, por mbi të gjitha fëmijët tanë. Maqedonia e Veriut është kandidate prej 17 vitesh, Shqipëria prej tetë, kështu që mirëserdhët në Ukrainë”, u shpreh Rama.

Duke u ndalur te statusi që pritet që Ukraina ta marrë si “vend kandidat”, Rama iu drejtua atyre: “është gjë e mirë që Ukrainës i jepet statusi kandidat, por ukrainasit të mos krijojnë shumë shpresa”.

Kujtojmë që një ditë më parë parlamenti bullgar rrëzoi qeverinë e kryeministrit Kiril Petkov, në një mocion mosbesimi.

Mocioni u hodh për votim në parlament nga opozitarët e GERB, të cilët drejtohen nga Boyko Borissov dhe arsyetimi kryesor për këtë vendimmarrje ishte “dështimi i Qeverisë në politikat fiskale të vendit”.

Me 123 vota pro dhe 116 kundër, Asambleja Kombëtare bullgare vendosi për shkarkimin e kabinetit.

Partia opozitare GERB kishte pranuar variantin francez të bisedimeve, i cili heq menjëherë veton nga Shkupi dhe i hap rrugë integrimit, për t’i lënë mosmarrëveshjet në tryezë negociatash mes dy vendeve.

Por Petkov, përpara rrëzimit të qeverisë së tij deklaroi i prerë se vetoja do të qëndrojë në këmbë dhe nuk ka pranim të variantit francez.

Ndërkohë në këtë “ngërç” të jetës politike në Bullgari “fati i vetos” mbetet pezull.

Ndërkaq për dy ditë radhazi Brukseli do të mbledhë liderët e 27 vendeve të BE-së në një samit i cili u parapri nga një takim i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Nga ora 9:30 në ndërtesën e Këshillit Evropian filloi takimi i liderëve të BE-së dhe gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor.

Në këtë takim pritet shkëmbim i mendimeve me partnerët e Ballkanit Perëndimor për mundësitë për forcimin e procesit të anëtarësimit, përkatësisht për përshpejtimin e integrimit të rajonit në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore