Lajme

GERB dakord për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut


Partia më e madhe opozitare në Bullgari, GERB, ka pranuar t’i heqë veton Maqedonisë së Veriut, që kjo e fundit të hapë negociatat me Bashkimin Evropian.

Vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut ka penguar edhe vazhdimësinë e Shqipërisë për hapjen e negociatave.

Lajmin e ka bërë të ditur, në një postim në median sociale Twitter, komisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi.

“Falënderojmë liderin e opozitës GERB, Bojko Borisov, për marrjen e një vendimi historik për Evropën dhe për pranimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut bazuar në propozimin francez, që lejon vazhdimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut”, shkruan Varhelyi.

“Ne presim që qeveria t’i bëjë propozimet e nevojshme Parlamentit sot, në mënyrë që Evropa të mund të ecë përpara”, mbyllte shkrimin ai.

“BE-ja dëshiron zgjerimin e unionit”, ishte deklarata e kryetarit të GERB-it, Bojko Borisov.

Gazeta bullgare “Novinite” citon Borisov të ketë thënë që është “dakord me presidentin Radev se presidenca franceze ka ofruar kornizën më të mirë për negociatat me Maqedoninë e Veriut”.

Sipas liderit të opozitës, kryeministri bullgar, Kiril Petkov, gënjen në Bruksel se GERB po e pengon qeverinë t’i heqë veton Maqedonisë së Veriut.

Ne mbështesim heqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut, theksoi ai, duke sulmuar kryeministrin.

“Kiril Petkov është arrogant dhe gënjeshtar, ai gënjen se jam i keq dhe për shkakun tim nuk ngrihet vetoja mbi RMV-në. Ai gënjen në Evropë se unë jam mik i Putinit”.

“Unë i premtoj atij 59 deputetët e GERB-it, nëse ai tani mbledh parlamentin dhe heq veton”, ka deklaruar Borisov.

Gjithashtu mësohet se deputetët në Sofje do të votojnë të mërkurën në mbrëmje për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kiril Petkov-it.

Kjo, pasi ai ka humbur mazhorancën me largimin e partisë “Ka edhe njerëz të tillë” nga koalicioni 4-palësh.

Propozimi francez

Franca, e cila kryeson presidencën e BE-së dhe mandati i saj mbaron më 1 korrik, prej kohësh është përpjekur për të zgjidhur “ngërçin politik”.

Ngërç, i cili ka bllokuar edhe vazhdimësinë e Shqipërisë për hapjen e negociatave.

Kjo, pasi rrugëtimi i dy shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për hapjen e negociatave shihet si i përbashkët.

Macron është shprehur i gatshëm për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve dhe respektimin e të drejtave themelore të pakicave.

Kovaçevski tha se ende nuk ka propozim në tryezë nga presidenca franceze dhe se Shkupi dhe Sofja duhet të gjejnë zgjidhje për çështjet e hapura.

Ndërsa kryeministri bullgar, Kiril Petkov, është shprehur se Bullgaria nuk do të bëjë asgjë nën presion në lidhje me Maqedoninë e Veriut.

Ai shtoi se shpreson që nga Brukseli do të ketë garanci për kërkesat bullgare, në rast se arrihet një marrëveshje mes dy vendeve.

“Ajo çfarë po synojmë, është që ta dimë nëse kërkesat bullgare, apo të drejtat e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut do të realizohen në kuadër të procesit integrues”, u shpreh Petkov.

Nga ana tjetër, pala shqiptare është shprehur se, nëse vetoja bullgare nuk do të hiqet, atëherë ajo do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut për çeljen e negociatave.

Sakaq, BE-ja është shprehur optimiste për përmbushjen e kushteve nga Shqipëria, por ndarje nga Maqedonia e Veriut: nuk ka!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore