Shqipëria

Rama: Scholz optimist se do të hiqet veto-ja bullgare, unë jo


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të martën e 12 prillit, pas përfundimit të vizitës zyrtare në Gjermani, ka mbajtur një deklaratë për mediat.

Nga Berlini, ai ka theksuar se, Shqipëria ende nuk ka ndryshuar qasje për rrugëtimin evropian me Maqedoninë e Veriut.

Kjo deri në qershor, kur do të vendoset nëse do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare.

Rama shtoi se, e ka vënë në dijeni kancelarin gjerman, Olaf Scholz, se nëse kjo nuk ndodh, Shqipëria do të kërkojë ndarjen.

Sipas tij, Scholz është optimist se vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut do të hiqet, por ai vetë nuk është.

Kryeministri hodhi poshtë deklaratat e opozitës shqiptare se kancelari gjerman nuk e ka mbështetur procesin e “Open Balkan”, duke u shprehur se Scholz do ta shprehte këtë.

“Procesi i Berlinit, nga ana tjetër, nuk u implementua kurrë, kështu që Open Balkan është zgjidhja e duhur”, tha Rama.

Numri një i Qeverisë shqiptare mbetet i bindur se vendi i ka plotësuar të gjitha detyrat për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Ndonëse BE-ja është shprehur për Albanian Post se nuk do të ketë një ndarje të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut, Qeveria shqiptare pas Këshillimit Kombëtar ka ndryshuar qëndrim.

Në këtë mënyrë, Tirana zyrtare nëse Konferenca e Parë Ndërqeveritare ngelet në ngërç, do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut dhe hapjen e negociatave menjëherë, duke qenë se kushtet janë plotësuar.

Ka qenë kjo kërkesa e popullit shqiptar – e shprehur në procesin e Këshillimit Kombëtar me 67% të votave pro – për të ndarë Shqipërinë nga fqinja e saj në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore