Shqipëria

Santos: Shqipëria drejt hapjes së negociatave me BE-në


Hapja e negociatave të Shqipërinë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka mbetur në një “udhëkryq”.

Shkak për këtë është bërë vetoja bullgare kundrejt Maqedonisë së Veriut, pasi rrugëtimi i dy vendeve të Ballkanit Perëndimor për hapjen e negociatave, shihet si i përbashkët.

Nga ana tjetër, ndërkombëtarët kanë vënë theksin gjithnjë e më shumë në faktin se Shqipëria është gati për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE-në.

Këtë e ka nënvizuar edhe Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”.

Notën pozitive përveç plotësimit të kushteve nga BE-ja, sipas Santos, Shqipëria e ka marrë me qëndrimin e saj ndaj pushtimit rus në Ukrainë.

“Forcat politike në Shqipëri kanë treguar solidaritet dhe unitet të madh kundër pushtimit të Ukrainës dhe kjo ka qenë edhe një herë një demonstrim i madh i përafrimit të vendit me qëndrimet e BE-së dhe një tjetër shenjë e mirë në rrugën drejt anëtarësimit në Evropë”, ka interpretuar ajo qasjen shqiptare kundrejt konfliktit të Ukrainës.

Santos ka vënë në dukje gjithashtu rolin që vendi ynë ka mbajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Roli i Shqipërisë në OKB ka qenë shumë i rëndësishëm në votimin së bashku me aleatët perëndimorë për sanksionet dhe dënimin e regjimit rus”, theksoi ajo.

E pyetur nëse në Shqipëri ka ndikim rus, ajo e tha e prerë se “aspak”, pasi “Shqipëria ka qenë një nga vendet më të rreshtuara me koalicionin e forcave që kanë qenë në ballë të masave kundër këtij pushtimi. Jo vetëm me solidaritetin e madh me refugjatët, por edhe me veprimet e saj në organizatat ndërkombëtare”.

Ndërsa sa i takon nismës rajonale të kurorëzuar “Open Balkan”, Santos u shpreh se është diçka që varej nga vullneti dhe uniteti i vendeve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor.

“Kjo ishte diçka krejtësisht e propozuar jashtë rrugës së anëtarësimit në BE dhe prandaj nuk jam personi i duhur për ta komentuar”, tha Santos.

Por ajo shtoi se, “ajo që mund të them është se vazhdoj të besoj se rruga më e mirë përpara për Ballkanin Perëndimor është mes partnerëve të tij evropianë dhe përmes progresit të procesit të anëtarësimit. E kuptoj që për një shumicë të madhe të popullit shqiptar kjo është edhe dëshira e tyre”.

Sa i përket situatës së opozitës shqiptare, konkretisht Partisë Demokratike dhe konfliktit të brendshëm të saj, Santos u shpreh se është e rëndësishme, që për rrugën drejt BE-së Shqipëria të ketë një mjedis politik të mirë dhe funksional.

Këtu ajo vuri në dukje funksionin e Parlamentit, i cili duhet të jetë “i fortë dhe të shëndetshëm”.

“Parlamenti të ketë një qeveri të fortë dhe të shëndetshme dhe me parti kundërshtare dhe që çdo institucion demokratik të funksionojë siç duhet”, theksoi ajo ndër të tjera.

Ajo vijoi duke dhënë një mesazh se, “më duhet të njoh progresin e rëndësishëm të arritur në zgjedhjet e fundit, me rikthimin e të gjitha forcave politike në Parlament, por gjithashtu duhet të them se ka ende vend për përmirësim”.

Santos e e përmbylli duke vënë në dukje raportin e saj të fundit për ecurinë e Shqipërisë, ku vendi i ka përmbushur dhe vijon t’i përmbushë kushtet e BE-së për anëtarësim.

“Por, ky është vetëm një hap më shumë dhe Shqipëria duhet të vazhdojë punën e saj drejt përmirësimit të shumë çështjeve që do ta lejojnë të jetë pjesë e BE-së dhe më e rëndësishmja të përmirësojë cilësinë e përgjithshme të jetës së popullit shqiptar”, ishte mesazhi përmbyllës i Santos.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore