Lajme

Bie Qeveria në Bullgari


Kabineti i kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, ka rënë, në atë që është edhe mocioni i parë i suksesshëm i mosbesimit në Sofje në historinë e vonë të vendit.

Mocioni u hodh për votim në Parlament nga opozitarët e GERB, të cilët drejtohen nga Boyko Borissov dhe arsyetimi kryesor për këtë vendimarrje ishte “dështimi i Qeverisë në politikat fiskale të vendit”.

Me 123 vota pro dhe 116 kundër, Asambleja Kombëtare bullgare vendosi për shkarkimin e kabinetit.

Tashmë, me shumicën e votave në Parlament kundër, Petkov pritet të dorëhiqet nga posti dhe fjala do t’i kalojë presidentit Rumen Radev, i cili do të zhvillojë bisedime me partitë pjesë e Asamblesë Kombëtare.

Ajo çfarë pritet, është kalimi i të drejtës për formimin e kabinetit të ri, forcës më të madhe në parlament dhe, më pas, caktohet një afat kohor prej shtatë ditësh, për të mbledhur një shumicë e për të marrë votëbesim në Parlament.

Nëse partia më e madhe nuk arrin të mbledhë votat, atëherë procesi parashikon kalimin e të drejtës te partia tjetër e kështu me radhë, derisa të ezaurohen të gjitha opsionet.

Në një rast të tillë, kur asnjë parti nuk formon kabinet qeverisës me shumicë votash, atëherë vendi drejtohet nga një Qeveri teknike.

Më pas, Bullgaria mund të kalojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat, sipas afateve, mund të mbahen që në gusht të këtij viti.

Një interes shumë i madh i rajonit është i zhvendosur pikërisht për nga politika e brendshme e Bullgarisë, për shkak të vetos që kjo e fundit ka ndaj Maqedonisë së Veriut.

Veto, e cila ka lënë pezull edhe Shqipërinë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Gjatë ditës së sotme, një prej lajmeve më kumbues në Ballkan ishte pikërisht fakti se opozita bullgare ishte shprehur e gatshme të ulej në tryezë bisedimesh me Shkupin, duke hequr kështu parimisht veton dhe vijuar tryezën e negociatave për çështjet që kërkohet të trajtohen në raportet mes dy vendeve.

Ishte vetë Petkov, ai i cili hodhi poshtë një mundësi të tillë dhe tha qartësisht se “Bullgaria nuk është e gatshme të ulet në të tilla tryeza ndërmjetësuese sipas propozimeve franceze”.

Megjithatë, me rënien e Qeverisë tashmë, gjërat ndryshojnë thelbësisht dhe një rrugë e re për raportet mes Shkupit dhe Sofjes mund të hapet.

Kjo, gjithsesi, nuk e garanton se vetoja do të hiqet dhe negociatat do të hapen si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për Shqipërinë (kjo e fundit në pritje të pengut bullgar ndaj maqedonasve).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore