Sport

E gjithë vëmendja nga Milan-Juventus…


Padyshim sfida midis Milan-it dhe Juventus-it është një nga ndeshjet më të ndjekura në botën e futbollit, pasi të dy ekipet më të trofeshëm në Itali dhe jo vetëm, janë rival historik mes tyre. Ndeshja do të luhet në “San Siro”, duke filluar nga ora 20:45.

Në këtë sfidë, Milan-i vjen si kryesuese e Serie A, që nuk ndodhej prej gati një dekade, në këtë pozitë, ndërsa Juventus-i, me pozita pak më të lëkundura, në vendin e pestë, me 10 pikë më pak (një ndeshje më pak).

Herën e fundit që Milan-i fitoi kampionatin, ishte sezoni 2010-11 dhe në ndeshjen përballë Juventus-it, në “San Siro” të luajtur më 30 tetor 2010, triumfuan miqtë nga Torino 1-2, me golat e Fabio Quagliarella-s dhe Alessandro Del Piero-s, ndërsa për vendasit shënoi Zlatan Ibrahimoviç-i.

Atë sezon Juventus-i, e përfundoi kampionatin në vendin e shtatë të renditjes, duke humbur kështu edhe pjesëmarrjen në kupat e Europës.

Në total, Milan-i dhe Juventus-i, në të gjitha kompeticionet, janë përballur 233 herë zyrtarisht, 91 fitore për bardhezinjtë, 67 për kuqezinjtë dhe 75 barazime. Juventus-i i ka shënuar Milan-it 332 gola, kundrejtë 299 golave të shënuar nga këta të fundit.

Fitorja më e madhe e Milan-it në shtëpi përballë Juventus-it është me shifrat 8-1 (sezoni 1911–12), ndërsa humbja e thellë në Milano ka qenë me rezultatin 1-6 (sezoni 1996-97).

Ndeshja e fundit midis të dy ekipeve ka qenë pikërisht në “San Siro” e përfunduar 4-2 në favor të vendasve. Fillimisht do të ishte Juventus-i që do të shënonte dy gola, me anë të Adrien Rabiot-it dhe Cristiano Ronaldo-s, por gjithçka u përmbysë  në pak minuta nga golat e Zlatan Ibrahimoviç-it, Franck Kessie-s, Rafael Leao-s dhe Ante Rebiç-it.

Mbrëmjen e sotme, Milan-i ka mungesa të rëndësishme ashtu si edhe Juventus-i. Për vendasit mungesa të sigurta janë ato e Zlatan Ibrahimoviç-it, Ismael Bennacer-it, Matteo Gabia-s dhe Alexis Saelemaekers-it, të dëmtur dhe Sandro Tonali-t që u ndëshkua me kartonin e kuq, në përballjen e fundit kundër Benevento-s, në Serie A.

Për bardhezinjtë mungon Alvaro Morata, i dëmtuar dhe dy mbrojtësit e krahut, Juan Cuadrado dhe Alex Sandro, që rezultuan pozitiv në testet e Covid-19.

Të dy ekipet do të hyjnë në fushë për të marrë maksimumin. Stefano Pioli e ka rreshtosur Milan-in me skemën 4-2-3-1, me G.Donnarumma në portë, në mbrojtje Hernandez-Romagnoli-Kjaer-Calabria, dyshja para mbrojtjes do të përbëhet nga Kessie-Kruniç, përpara tyre do të luajnë Rebiç-Calhanoglu-Castillejo, për të mbështetur sulmuesin e vetëm Leao-n.

Andrea Pirlo, përsëri do të vazhdojë me skemën 4-4-2 klasike, me Szczesny në portë, Fabrotta-Bonucci-De Ligt-Danilo në mbrojtje, në mesfushë Chiesa-Ramsey-Bentancur-McKennie dhe dyshja e sulmit përbëhet nga Ronaldo-Dybala./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore