Shqipëria

Dumani thotë se megaoperacioni i SPAK nuk u dekonspirua, por ngre sërish alarmin për lidhjet e Policisë me botën e krimit


Kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani, ka bërë me dije se një megaoperacion për goditjen e grupeve të strukturuara kriminale, ku u lëshuan 50 urdhër-arreste, nuk është dekonspiruar në dijeninë e tij.

Kështu ka deklaruar drejtuesi i organit të lartë hetimor në vend, teksa është pyetur mbi çështjen në Komisionin e Ligjeve, ku edhe po raporton punën e SPAK.

“Nuk kam asnjë të dhënë apo indicie që operacioni është dekonspiruar”, është përgjigjur Dumani përpara deputetëve të Komisionit.

Megjithatë, ai e ngriti një alarm, duke thënë se është “ulëritës” fakti se anëtarë të Policisë së Shtetit bëhen pjesë bashkëpunuese e botës së krimit në vend.

“Më rezulton se janë proceduar rreth 70 punonjës nga ne. Na ka rezultuar se drejtues të lartë të policisë së shtetit, të lidhur me krimin e organizuar”, shtroi problemin Dumani.

Shembujt po ashtu, sipas tij, janë bërë publikë, duke përmendur ish-drejtorin e Operacionales, Oltion Bistri, apo disa drejtorë komisariatesh dhe shefa krimesh.

Po ashtu, ai ka raportuar edhe për punën vjetore të SPAK, ku tha se në total janë sekuestruar 41 milionë euro pasuri.

“SPAK ka tregues sasior dhe cilësor të përmirësuar në raport me një vit më parë. Ka hetuar 863 materiale nga të cilat nuk është filluar hetimi penal për 103 materiale. 41 milionë euro sekuestrim pasurie. Në asnjë rrethanë nuk jemi inkuizitor. Detyra jonë është të hetojmë, po mbajmë në kujdes mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Shifrat janë kokëforta në lidhje me politikën tonë penale. Të paraburgosurat nga SPAK zënë më pak se 9%”, tha Dumani.

Sa i takon bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, ai tha se “kemi arritur që të kemi besueshmëri dhe bashkëpunim me institucione partnere”.

“Përfaqësues të DEA janë vendosur në SPAK”.

Ai ngriti edhe disa shqetësime si mungesa e referimeve nga institucionet publike, ndërsa u ndal edhe në mandatin e prokurorëve të SPAK.

Dumani është shprehur se duhet një zgjatje e mandatit për prokurorët e SPAK.

“Të nderuar deputetë, ne kemi paraqitur disa shqetësime që shpresojmë të gjejnë zgjidhje, mungesa e përcaktuar qartë në kuadrin ligjor në lidhje me ekzistencën e prokurorëve pas përfundimi të mandatit, mungesa e këshilltarëve ligjorë, adresimi i ngarkesës të shtuar ndaj drejtuesit të SPAK mbi çështjet e prapambetura të rivlerësimit të magjistratëve pas marrjes së kompetencës të komisionerit publik, mungesa e referimet nga institucionet publike, numri i procedimeve të mbartura”, tha Dumani.

Ajo që vihet re sipas tij, është se dhe forma që po përdor krimi i organizuar për pastrimin e parave. Sipas Dumanit ka një rritje të përdorimit të shoqërive tregtare si dhe investimi në prona të paluajtshme dhe depozitime në llogari të ndryshme bankare.

“Ka prani të pastrimit të parave, që bëhet edhe me ndërtimet. Edhe terrorizmi është ndër aktivitetet kriminale më të rralla. Sa i takon korrupsionit, përdoret procedura që përfitojnë nga fondet publike, që përdorin llogari offshore. Edhe disa banka janë të përfshira në skemën e pastrimit të parave”, tha Dumani.

Ai u pyet nëse është dekonspiruar operacioni i SPAK, ku u prenë 50 urdhër-arreste. Ai tha se në dijeninë e tij, mega-operacioni nuk është dekonspiruar.

“Nuk kam asnjë të dhënë apo indicie që operacioni është dekonspiruar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore