Shqipëria

ABCDE e melanomës – Neglizhenca dhe frika i bëjnë njerëzit të hezitojnë, intervistë e dermatologe Jorida Meminit për Albanian Post


I nxehti i diellit – përpos kujtimeve të bukura verore e plazhit – na kujton edhe për vigjilencën që duhet të tregojnë për mbrojtjen e lëkurës nga rrezet e dëmshme.

Një kujdes ky, i cili duhet të jetë i përditshëm, në çdo ditë të vitit dhe jo vetëm muajt e verës.

Shqetësimi që na mbërthen më së shumti është për të parandaluar prekjen nga kanceri i lëkurës.

Albanian Post ka kontaktuar me dermatologe Jorida Meminin për t’i ‘rrëmbyer’ disa këshilla të vlefshme në lidhje me kujdesin që duhet të shfaqim ndaj sinjaleve që na jep lëkura jonë dhe mundësinë për të parandaluar probleme madhore nëse nuk neglizhojmë.

Sipas saj, informacioni është i kudogjendshëm, por neglizhenca, frika, ndonjëherë dhe mundësitë ekonomike, i bëjnë njerëzit të hezitojnë për të shkuar te mjeku.

“Shpesh duan t’i zgjidhin gjerat me fotografi, jo duke qenë të pranishëm te mjeku. Gjë që është e gabuar dhe e rrezikshme. Mjeku i familjes është shumë i rëndësishëm në gjithë këtë proces pasi është kontakti më i shpeshtë me njerëzit. Që aty nisin këshillat dhe ndërgjegjësimi i duhur”, ravijëzon dermatologia.

Intervista e plotë e dermatologe Jorida Meminit për Albanian Post:

Albanian Post: Pse është e rëndësishme të njihemi me lëkurën tonë dhe të gjurmojmë nishanet, njollat dhe çdo ndryshim tjetër që mund të hasim në lëkurë?

Jorida Memini: Njohja e lëkurës tonë është një proces shumë i rëndësishëm duke ditur që vetdiagnostikimi është hapi i parë që pacienti e ndërmerr në shtëpi.

Çdo nishan i ri apo ekzistues mban në vetvete riskun për të ndryshuar në një moment të caktuar; apo çdo lloj elementi i ri që shfaqet, një plagë që nuk shërohet, një shenjë atrofike apo çdo element tjetër i dyshimtë që del e nuk ikën edhe me mjekimin e duhur.

Albanian Post: Si mund ta kuptojmë që një nishan në trupin tonë ose një njollë e shfaqur paraqet rrezik?

Jorida Memini: Ne dermatologët, bëjmë herë pas here fushata sensibilizuese për t’i ndërgjegjësuar njerëzit.

Fushatë, të cilën e vazhdojmë dhe në mediat sociale.

Gjëja e parë që duhet të bëjë një pacient pasi ka parë që një element i caktuar nuk po ikën as me rekomandimin e një medikamenti të caktuar nga farmacisti apo mjeku i familjes, hapi i radhës është të caktojë një takim me mjekun specialist dermatolog.

Ne i referohemi rregullit ABCDE të melanomës kur flasim për ndryshimet e nishaneve.

“A”-ja është për asimetrinë, pra kur heqim vija që e ndajnë nishanin në gjysma, këto gjysma nuk përputhen me njëra-tjetrën.

“B”-ja është për kufijtë (border) e nishanit, kur një nishan fillimisht brenda kufijve të vet fillon e del jashtë tyre e shfaq zgjatime.

“C”-ja është për ngjyrën (color), kur brenda një nishani shohim nuanca ngjyrash të ndryshme.

“D”-ja është diametri dhe i referohet diametrit të nishanit më të madh se goma e një lapsi dhe “E”-ja (evolving) shkon për tërësinë e gjithë ndryshimeve që ndodhin në një nishan.

Albanian Post: Paçka se ndërgjegjësimi për kujdesin ndaj lëkurës dhe vizitat rutinë te dermatologu për parandalimin e kancerit të lëkurës është rritur, ende duket se ka boshllëk informacioni dhe ‘përtaci’. Mendoni njësoj? Dhe si mund të vihen njerëzit më shumë në alarm për të mbrojtur lëkurën e tyre?

Jorida Memini: Informacioni është i kudogjendshëm, por neglizhenca, frika, ndonjëherë dhe mundësitë ekonomike duke pasur parasysh këtu sektorin privat, i bëjnë njerëzit të hezitojnë për të shkuar te mjeku.

Shpesh duan t’i zgjidhin gjerat me fotografi, jo duke qenë të pranishëm te mjeku. Gjë që është e gabuar dhe e rrezikshme.

Mjeku i familjes është shumë i rëndësishëm në gjithë këtë proces pasi është kontakti më i shpeshtë me njerëzit.

Që aty nisin këshillat dhe ndërgjegjësimi i duhur.

Albanian Post: Shpesh, kanceri i lëkurës zhvillohet në zonat e ekspozuara ndaj diellit. Por kanceri i lëkurës mund të zhvillohet edhe në zona të tjera. Si qëndron e vërteta? Vetëm dielli është faktor apo?

Jorida Memini: Po është e vërtetë që shumë melanoma apo karcinoma të tjera lëkure dalin në vende të trupit ku ekspozimi nuk është i drejtpërdrejtë.

Nga ana tjetër, ne dermatologët trumbetojmë për rrezet e diellit si një nga shkaqet kancerogjene më kryesore dhe duke bërë lidhjen, shumë paciente mbeten konfuzë.

Mirëpo, duhet theksuar se shumë karcinoma lëkure kanë dhe shkaqe të tjera virale, ambientale, rrezatimet, gjenetika e të tjera.

Rrezatimi diellor mbetet ndër shkaqet kryesore, por nuk është i vetmi.

Albanian Post: Cila është qasja juaj personale si eksperte e fushës kur bëhet fjalë për parandalimin e kancerit të lëkurës?

Jorida Memini: Mbrojtje absolute nga dielli, kujdes te veçantë në muajt e verës për mos t’u djegur, vetkontrollet para pasqyreë, kontrollet periodike dermatoskopike, një stil jetese i shëndetshëm pa duhan e alkool, si dhe menaxhimi i stresit.

Albanian Post: Tani, në sezonin e verës, thuhet se kujdesi duhet shtuar për shkak edhe të ekspozimit më të lartë ndaj rrezeve të dëmshme në plazh. Çfarë rekomandoni për të mos pasur risqe të mundshme?

Jorida Memini: Po, është e ditur qe djegiet e herëpashershme rrisin ndjeshëm shansin për të zhvilluar melanoma.

Përveç kremit të diellit që duhet përdorur 365 dite te vitit, në sezonin e verës duhet të kihen parasysh dhe përdorimi i kapelave, syzave, rrobave të lehta mundësisht në ngjyre të çelët.

Evitimi i qëndrimit të drejtpërdrejtë poshtë rrezeve të diellit i orareve ku rrezatimi diellor kap pikun e vet, pra fashat orare 10:00-16:00. Konsumimi i ujit apo lëngjeve me pak kalori për të mbajtur trupin të hidratuar.

Albanian Post: Po për fëmijët, në veçanti, çfarë u këshilloni prindërve që të bëjnë kujdes?

Jorida Memini: Fëmijët dhe mosha e treta duhet të jenë tejet të kujdesshëm gjatë sezonit veror duke qenë se janë kategoritë që edhe efektet anësore nga i nxehti dhe rrezatimi diellor i kanë më të shprehura.

Duke qenë që fëmijët shpesh kanë qejf të luajnë për orë të tëra nën diell. duhen veshur me veshje të posaçme, të lehta, si dhe aplikim 30 minuta para ekspozimit dhe riaplikime të shpeshta të kremit mbrojtës.

Fëmijët nën moshën 1 vjeç duhet të mbahen në hije gjatë gjithë kohës. Fëmijët nën 6 muajsh mund t’u përdoret Spf po në sasi të pakta dhe me kujdes për të evituar futjen e kremit në gojë.

Fëmijëve duhet t’u vishen syza me filtra mbrojtës dhe të pinë shpesh lëngje për të qëndruar të hidratuar gjatë ditëve të nxehta.

Albanian Post: E fundit. Duke qenë se këto kohë janë përhapur në masë edhe alergjitë, dhe një shpjegim i mundshëm lidhet me ndryshimet klimatike, për ata pacientë që janë alergjikë dhe simptomat u shfaqen në lëkurë në formën e urtikaries, thuhet se kombinimi rërë-det nuk u sjell dëm, sa e vërtetë është kjo? A u rekomandohet atyre shkuarja në plazh?

Jorida Memini: Varet specifikisht nga lloji i alergjisë që një person ka. Kështu që, nëse një pacient është alergjik nga polenat, atëherë plazhi është vendi ideal.

Nëse alergjia është nga dielli sigurisht që duhet evituar ekspozimi i drejtpërdrejtë.

Alergenët që nxisin alergjitë, në natyrë, në periudhën e verës janë të shumtë, që nga insektet e ndryshme, banorët e detit, përbërësit e kremrave mbrojtës e të tjerë.

Në përgjithësi pacientët alergjikë e gjejnë vetën mirë dhe të relaksuar në bregdet, por përsëri duhet të jenë vigjilentë për shkak të larmisë së alergenëve të sezonit veror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore