Shqipëria

Metani takim me homologun e tij francez: Forcim i standardeve profesionale dhe të etikës së magjistratëve


Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani zhvilloi një vizitë të shkurtër pune në Paris, në Inspektoratin e Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës, ku u mikprit nga homologu i tij Christophe Straudo.

Gjatë takimit, Metani dhe Straudo vlerësuan praktikën e shkëmbimit të eksperiencave ndër vite mes dy shërbimeve të inspektimit të Francës dhe Shqipërisë, si dhe bashkëpunimin, si pjesë e Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit (RESIJ).

Dy homologët bashkëndanë idetë mbi rëndësinë e rolit të institucioneve që drejtojnë, sa i takon pavarësisë në punë dhe ndikimit në sistem, në forcimin e standardeve më të mira profesionale e të etikës së magjistratëve, si një kontribut real për forcimin e besimit të qytetarëve tek drejtësia dhe shteti i së drejtës.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë zhvilloi një takim pune me prokurorin e Përgjithshëm pranë Gjykatës së Lartë, Remy Heitz, i cili e njohu me ndryshimet kushtetuese të vitit të kaluar në Francë. Ai e informoi Metanin edhe mbi rolin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për vendimmarrjen në procedimin disiplinor, në cilësinë e tij si kryetar i këtij Këshilli për prokurorët, e më tej për çështje të deontologjisë, në kuadër të funksionit të tij si zëvendës kryetar i bordit të Shkollës franceze të Magjistraturës.

Në takimin me gjyqtaren Valérie Delnaud, që drejton kabinetin e Ministrit të Drejtësisë, u fol për sfidat e ngjashme të sistemit të drejtësisë në Francë dhe Shqipëri, si dhe eksperiencën franceze, që fokusohet tek procesi para-disiplinor, pra parandalimi, para sanksionimit disiplinor të magjistratëve.

Në funksion të kësaj qasje, ministria franceze e Drejtësisë ka ngritur Kolegjin e Deontologjisë, që përbëhet nga personalitete jo vetëm të drejtësisë, nën drejtimin e një veterani të sistemit, magjistrati François Feltz, ish-drejtues i Inspektoratit francez të drejtësisë, me të cilin Metani u ndal në çështje të etikës e deontologjisë së magjistratëve.

Çështje të deontologjisë së magjistratëve por edhe shkëmbimi i eksperiencave profesionale ishin në qendër të takimit që Inspektori i Lartë i Drejtësisë pati me drejtoren e Shkollës franceze të magjistraturës Nathalie Roret.

Roret e njohu Metanin me projektin e afërm të bashkëpunimit me Shkollën shqiptare të Magjistraturës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore