Kosova

Organizatat ndërkombëtare e AGK-ja të shqetësuar për “ndërhyrjet politike” për ta shkarkuar drejtorin e RTK-së


Radio Televizioni i Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i është bashkuar shqetësimeve të organizatave evropiane dhe ndërkombëtare të lirisë së medias, rreth tendencave që po konsiderohen “politike” për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Shkumbin Ahmetxhekaj.

“AGK-ja, i bashkohet shqetësimit të organizatave evropiane dhe ndërkombëtare të lirisë së medias, pjesë e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës, rreth përpjekjeve për ndërhyrje politike në shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Transmetuesit Publik, RTK”, është thënë në shkrimin e AGK-së në rrjetin social ‘Facebook’.

Përmes një letre nga organizatat ndërkombëtare dërguar RTK-së është shprehur shqetësim për këtë situatë.

Letra është shkruar në emër të partnerëve të platformës për promovimin e mbrojtjes së gazetarisë dhe sigurisë së gazetarëve të Këshillit të Evropës (KiE).

“Ne jemi të shqetësuar me krizën në RTK lidhur me presionin politik që po bëhet për largimin e drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj. Kjo temë është ngritur për herë të parë nga Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon-Taubadel me 15 janar 2024, ku ajo përmend përpjekjet për të zëvendësuar drejtorin aktual me një individ pro- qeverisë”.

Për këtë organizatë cdo ndërhyrje politike lidhur me këtë situatë është “thellësisht jodemokratike”.

“Ne kërkojmë me mirësi nga ju, që të shikoni me kujdes vendimet tuaja të ardhshme, në mënyrë që Transmetuesi Publik të vazhdojë t’i shërbejë publikut, dhe jo interesave politike. Liria e medias, në përgjithësi, dhe reformat e vazhdueshme në transmetuesit publik në veçanti, do të dëmtohen seriozisht nëse ndodhin me sukses ndryshimet e motivuara politikisht, në menaxhment”.

Ahmetxhekaj, është emëruar drejtor i përgjithshëm nga bordi i RTK-së, në vitin 2022 për një mandat tre vjeçar.

Procesi i emërimit të tij ishte vlerësuar si i bazuar në merita nga Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja dhe ishte mirëpritur nga organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat e huaja në Kosovë.

RTK-ja aktualisht është duke u ballafaquar edhe me borxhe nga e kaluara, rreth 1 milionë euro janë borxhet që ka ky televizion publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore