Shqipëria

“Black out” energjetik në rajon, Komisioni Evropian nis hetim ndërkombëtar për incidentin


Komisioni Evropian do të nisë një hetim ndërkombëtar për ndërprerjen e energjisë elektrike gjatë të premtes në katër vende të rajonit: Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe pjesërisht në Kroaci.

Kështu, Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) do të përcaktojë shkaqet nga kanë nisur problemet.

“OST-të e prekura, me mbështetjen e OST-ve fqinje, rikthyen energjinë në rrjetet e tyre brenda rreth 2 orësh, duke synuar minimizimin e ndikimit të ndërprerjes te konsumatorët. Në përputhje me metodologjinë e shkallës së klasifikimit të incidenteve, Komiteti i Operacioneve të Sistemeve i ENTSO do të kryejë një hetim të detajuar të kësaj ngjarjeje në javët në vijim, me mbështetjen e një paneli ekspertësh”, thuhet në njoftimin e ENTSO.

Lajmi është raportuar edhe nga media britanike “BBC”, ku thotë se ndërprerja e energjisë ndodhi njëkohësisht në të gjitha këto vende në një kohë kur rajoni është përfshirë nga një valë i nxehti.

Sipas BBC, në Bosnje dhe Kroaci u fikën edhe semaforët duke krijuar kaos në Sarajevë, Split apo qytete të tjera të mëdha. Madje sipas britanikes në disa vende mungesa e energjisë ka zgjatur për disa orë dhe është mundur të rikthehet vetëm në mbrëmje.

Fillimisht ikja e energjisë elektrike u raportua rreth orës 13:00 me orën lokale ku edhe pompat e ujit u ndalën në Podgoricë.

Humbja e energjisë elektrike i dha gjithashtu një goditje sezonit turistik në vendpushimet kroate, me pushuesit në Dubrovnik që mbetën në rrëmujë pasi restorantet, baret dhe supermarketet mbyllën dyert.

Temperaturat, siç e kemi përjetuar, kanë shkuar deri në 40 gradë celsius. Ministri i Energjisë në Malin e Zi, Sasa Mujoviç doli në televizionin kombëtar ku tha se ka pasur një rritje të papritur të konsumit energjetik si pasojë e temperaturave të larta.

BBC raporton edhe në lidhje me Shqipërinë, më saktësisht deklaratën e zv/kryeministres njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Në Shqipëri, zyrtarët thanë se e rikthyen energjinë elektrike pas gjysmë ore, por se kishte rrezik të lartë për të tjera “black out”-e, në një kohë kur përdorimi i energjisë është ende shumë i lartë”, shkruan BBC.

Media britanike thotë se në Ballkanin Perëndimor pavarësisht një përpjekjeje për të investuar në energjinë diellore, infrastruktura nuk është ende plotësisht e përgatitur për ndryshimin.

Ndërprerja e energjisë elektrike, Balluku: Situata u rikuperua për 30 minuta në rang vendi

Ndërprerja e energjisë, OST: Defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë, shkak temperaturat

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore