Përballje

Drita me hap para drejt titullit kampion, mposht Llapin derisa Ballkani ngec ndaj Prishtinës


Drita ka bërë një hap para drejt titullit kampion në këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll.

“Intelektualët” e mposhtën në udhëtim Llapin me rezultat 0:2, ndërkohë që në ndeshjen e sotme të po kësaj xhiroje (32-të) ndjekësi më i afërt, Ballkani, barazoi në shtëpi me Prishtinën me shifrat 1:1.

Në pjesën e parë, Drita ishte me fat, kur Festim Alidema gaboi nga penalltia në minutën e 21-të për ta kaluar Llapin në epërsi.

Fraksioni i parë përfundoi pa gola, derisa në minutën e 58-të, gjilanasit kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Blend Baftiu.

Në vazhdim Drita arriti ta ruante rezultatin, derisa krejt në fund të ndeshjes e shënoi edhe golin e sigurisë, kur në minutat shtesë realizoi Ovouka.

Kështu Drita mori fitore shumë të vlefshme që pas katër xhirove mund të shpërblehet me titull kampion.

Ndërsa Llapi ngelet në vendin e gjashtë me 41 pikë, pesë më pak se vendi i katërt (që e dërgon në Evropë) që mbahet nga Prishtina.

Në ndeshjen tjetër, kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani, zhgënjeu para tifozëve të tyre, duke barazuar me Prishtinën me rezultat 1:1.

Golin e vetëm për prishtinasit e shënoi Kryeziu në minutën tretë shtesë të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, skuadra e Ilir Dajës u mundua të reagonte, derisa e gjeti vetëm golin e barazimit, krjet në fund të ndeshjes, kur në minutën e pestë shtesë shënoi Albion Rrahmani.

Pra, me rezultatet e sotme, Drita është në rrugë të mirë për tu kurorëzuar me titullin kampion, derisa distanca thellohet në tri pikë me Ballkanin e vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe katër xhiro nga fundi i kampionatit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore