Lajme

Drejtues të lartë të WarnerMedia japin dorëheqjen në prag të bashkimit me Discovery


Shefi ekzekutiv i WarnerMedia dhe ekipi i drejtuesve të lartë po largohen nga kompania në prag të marrjes së saj nga rivali Discovery.

Çka shënon një largim masiv në rangjet e larta në një nga perandoritë më të mëdha të Hollywood-it.

Edhe veterani i kompanisë mediatike, Jason Kilar, do të largohet, ashtu si edhe tetë të tjerë, duke përfshirë shefin financiar të grupit dhe shefin ekzekutiv të portofolit të argëtimit.

Eksodi vjen teksa Discovery përgatitet të marrë përsipër WarnerMedia pasi shefi ekzekutiv David Zaslav ka projektuar grushtin e shtetit mediatik të dekadës.

Shkrirja prej 43 miliardë dollarësh do të bashkojë kompaninë e tij shumë më të vogël, Discovery, me WarnerMedia, pronarin e HBO-së, Warner Bros-it dhe CNN-it.

Kilar zgjodhi të largohej pasi u la në hije ​​gjatë negociatave të marrëveshjes WarnerMedia-Discovery vitin e kaluar.

Kurse Ann Sarnoff, e cila drejtonte biznesin e studios Warner Bros, gjithashtu vendosi të largohej pasi roli i saj do të ishte zvogëluar shumë në strukturën e re.

Zaslav është person i respektuar në biznesin e medias edhe pse disa të brendshëm kanë vënë në dyshim se si ai do të kryesojë disa nga asetet më të lakmuara të Hollywood-it.

Megjithatë, brenda javës së ardhshme kompania e tij Discovery do të zbulojë ekipin e brendshëm, duke u kthyer në grupin e dytë më të madh të argëtimit në SHBA për nga të ardhurat.

Industria e medias është konsoliduar teksa kompanitë më të mëdha janë përpjekur të rishpikin veten.

Brenda dy viteve të fundit, Disney, Apple, WarnerMedia, Comcast, Discovery dhe të tjerë kanë nisur shërbime transmetimi me ambicie globale.

Zaslav, me kompaninë WarnerMedia, synon të ndërtojë një shërbim që mund të konkurrojë me drejtuesit Netflix dhe Disney.

 

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore