Lajme

Dreçun: Njohja “de facto” e Kosovës në thelb nuk do të thotë asgjë


Milovan Dreçun

Kryetari i të ashtuquajturit Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Dreçun, ka thënë se beteja kryesore do të jetë për planin e zbatimit, i cili do të qartësojë se çfarë do të zbatohet nga propozimi.

“Nuk do të lejojmë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe njohjen e saj në mënyrë de facto ashtu edhe de jure”, ka thënë Dreçun, transmeton Danas.

“Ky është një propozim, një marrëveshje është diçka tjetër. Vetëm ajo që është nënshkruar është e detyrueshme. Njohja de facto në thelb nuk do të thotë asgjë, është për nevojat e brendshme politike të Kosovës dhe të Albin Kurtit. Absolutisht nuk do të ketë njohje de jure, madje as de facto. Por, nëse duam të arrijmë ndonjë marrëveshje, atëherë duhet të bëjmë një lloj kompromisi”.

Po ashtu, ai thekson se propozimi evropian i është paraqitur edhe Kosovës edhe Serbisë sipas parimit “merre ose lëre”, si dhe me kërcënime për sanksione.

“Ka qenë çështja nëse do të pranonim apo do të refuzonim dhe kur refuzojmë, përballemi me pasojat. Ne thamë ‘do të pranojmë ta diskutojmë propozimin si koncept’, me faktin se propozuesit do të donin që ai propozim të ishte identik me marrëveshjen eventuale. Ata thanë se nëse propozimi pranohet, dispozitat nuk mund të ndryshohen. Thamë ‘në rregull’, u ulëm të bisedonim”, shtoi Dreçun.

Ndërkaq, sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, bëri një “lëvizje të jashtëzakonshme politike, ku nga një situatë ku nuk kishim vend për manovrim, Vuçiç tha ‘të gjitha këto i pranojmë, por me kufizime të qarta”.

Tutje, ai shton se shumë nga bashkësia ndërkombëtare kanë thënë se kjo marrëveshje e propozuar nuk do të thotë njohje.

“Ne e hodhëm poshtë përpjekjen për ta njohur Kosovën përmes këtij propozimi”.

Në përzgjedhjen e aleatëve të Serbisë, Dreçun u rreshtua kah Rusia dhe Kina, duke thënë se nëse do të ishte problem anëtarësimi i Kosovës në OKB, atëherë, “Serbinë do ta ndihmonin Rusia dhe Kina”.

Dreçun, siç rëndom politika serbe përpiqet të bëjë, thotë se “duhet të ruajmë partneritetin me Rusinë, por në të njëjtën kohë duhet ta forcojmë  partneritetit me Perëndimin”.

“Për të ruajtur partneritetet strategjike në Lindje, pra me Kinën dhe Rusinë, ne duhet të forcojmë partneritetin me Perëndimin”, shtoi Dreçun.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore