Sport

Donnarumma-Milan ngec rinovimi i kontratës


Pas ecurisë shumë pozitive në Serie A dhe UEFA Europa Ligë, kuqezinjtë e Milan-it duket se tani do përballen me probleme të mëdha, përsa i përketë rinovimit të kontratave të lojtarëve. Më herët Milan-i kishte vendosur një tavan prej rreth 4 milionë euro maksimumi për kontratat, përveç Zlatan Ibrahimoviç dhe Gianluigi Donnarumma.

Por forma e mirë e ekipit, sigurisht i shtynë lojtarët, që për të rinovuar kontratat do të  kërkojnë rroga më të larta sesa ky target.

Aktualisht më i paguari është Ibrahimoviç, me 7 milionë euro në sezon, i ndjekur nga Donnarumma me 6 milionë euro, të dy lojtarët kanë kontrata deri në verën e 2021.

Rinovimi i Donnarumma-s nuk po shkon siç duhet dhe kjo nuk është ngjarje e re, për 21-vjeçarin.

Edhe më herët, në 2017, Donnarumma, për të rinovuar kontratën i vendosi kushte klubit, që përveç rrogës së lartë, që kërkoi dhe e mori, prej 6milionë eurove në sezon, nuk pranoi të rinovonte, nëse Milan-i nuk merrte në ekip edhe të vëllain si portier të tretë, kërkesë e cila u pranua nga kuqezinjtë.

I vëllai, Antonio Donnarumma, tashmë po hyn në vitin e tij të katërt te Milan-i, ndërkohë që ka luajtur vetëm tre ndeshje dhe paga e tij kap shifrën e 1 milion eurove në sezon.

Por pavarësisht gjithçkaje, Milan-i nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e portierit, që njihet si një nga talentet më premtues në botë dhe si pasardhësi i legjendës italiane dhe jo vetëm, Gianluigi Buffon-it.

Në kontratën e re, Milan-i i ofron Donnarumma-s një pagë vjetore prej 7 milionë eurosh, por menaxheri i lojtarit, Mino Raiola, nuk pranon më pak se 8 milionë euro në sezon, por që mund të mbyllet edhe me 7 milionë e gjysëm euro në sezon, sipas Calciomercato-s.

Pas Donnarumma-s janë edhe ekipet e Juventus-it, Inter-it, PSG-së dhe Real Madrid-it. Raiola njihet për lidhjet e afërta me krerët e Juventus-it, për të cilët Donnarumma është pasardhësi i denjtë i Buffon-it dhe nuk e kanë problem t’i ofrojnë atij një pagë të majmë, si dhe Raiola-s gjithashtu një bonus të mirë, ashtu si në rastin e transferimit të Poul Pogba tek Manchester United, nga transferimi i të cilit ai përfitoi rreth 27 milionë euro./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore