Lajme

Do ta ndryshojnë mënyrën e krijimit të filmave xhirimet fatale të ‘Rust’?


Një javë pas të shtënave aksidentale që lanë të vrarë drejtoreshën e fotografisë në filmin “Rust”, Halyna Hutchins, ngrihet pyetja se si hyri një plumb i vërtetë në armën që shkrepi aktori Alec Baldwin në shesh-xhirim.

Kur Anderson Cooper nga agjencia e lajmeve, “CNN”, e bëri këtë pyetje, sherifi i qarkut Santa Fe, Adan Mendoza, pohoi se nuk mund të përcaktohet saktësisht momentalisht.

“Tani për tani nuk mund të përcaktojmë saktësisht se si plumbi i vërtetë hyri në armën e zjarrit. Kjo do të jetë baza për hetime të mëtejshme. Kemi nevojë për më shumë intervista”, ka thënë ai.

Gjithashtu ka treguar se “kjo do të jetë pyetja miliona dollarëshe: Si përfundoi plumbi në revolverin me të cilin Baldwin qëlloi?”.

Alec Baldwin pas tragjedisë në sheshin e xhirimit

Nga ana tjetër, hapet edhe debati tjetër, më i gjerë, mbi sigurinë në xhirime, të cilën e ka paraqitur edhe korrespondenti i “CCN”, Josh Campbell.

“Mbulimi intensiv mediatik i të shtënave është duke vënë në pah rrezikun me të cilin përballet stafi i prodhimit dhe aktorët kur shefat ndërpresin sigurinë. Një nënprodukt i rëndësishëm i mbulimit mund të përfshijë kushte të përmirësuara të punës për profesionistët e argëtimit në mbarë botën”, ka shkruar ai.

Campbell e ngriti këtë shqetësim në një intervistë me avokaten e qarkut të Santa Fe, Mary Carmack-Altwies. Ajo bëri thirrje për masa më të rrepta sigurie në prodhimet kinematografike dhe televizive.

“Uroj që të mos kishte ndodhur, por padyshim që standardet e sigurisë duhet të përmirësohen”, ka thënë Carmack-Altwies.

Ajo ka shtuar se “thjesht dëshirojmë që të mos kishte nevojë për një tragjedi për t’i bërë ato standarde të sigurisë të bëhen më të rëndësishme”.

Vendi i tragjedisë, ku po zhvilloheshin xhirimet e filmit të Alec Baldwin.

E pyetur nëse industria ka nevojë për mbikëqyrje më të madhe të qeverisë për të shmangur përsëritjen e një situate të ngjashme, Carmack-Altwies ka thënë se do t’ia linte atë vendim ligjvënësve dhe guvernatorit.

Megjithatë, do ta mbështeste guvernatoren në New Mexico, Michelle Lujan Grisham, nëse do të merrte masa më të rrepta.

“Kemi parë skenarin më të keq dhe duket se ka pasur shumë nivele në të cilat kjo mund të ishte shmangur…kështu, sigurisht që do ta inkurajoja dhe do t’i qëndroja prapa guvernatores nëse ajo kërkon mbikëqyrje më të rreptë, udhëzime dhe politika më të rrepta”, ka theksuar ajo.

Referuar “CNN”, të shtënat në “Rust” kanë rindezur bisedat në industrinë e argëtimit rreth mundësisë për t’i dhënë fund armëve të vërteta në xhirime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore