Film

Alec Baldwin: Tronditje dhe trishtim pas ngjarjes vdekjeprurëse në shesh-xhirim


Aktori Alec Baldwin ka shprehur tronditjen dhe pikëllimin e tij pasi qëlloi për vdekje drejtoren e fotografisë, Halyna Hutchins, me armë rekuizitëze gjatë xhirimeve të filmit në New Mexico.

Ai shkroi në Twitter se ishte në kontakt me bashkëshortin e saj dhe se i kishte ofruar mbështetje.

https://twitter.com/AlecBaldwin/status/1451573351588106246

“Zemra ime është thyer për familjen e saj dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin Halynën”, ka shkruar ai.

Hutchins, 42 vjeç, u qëllua në xhirimet e Western Rust ndërsa punonte si drejtore fotografie.

“Nuk ka fjalë për të përcjellë tronditjen dhe pikëllimin tim në lidhje me aksidentin tragjik që i mori jetën Halyna Hutchins, një gruaje, nëne dhe kolegeje thellësisht të admiruar”, shkroi ai në Twitter.

“Unë jam duke bashkëpunuar policinë për ta trajtuar se si ndodhi kjo tragjedi”.

Aksidenti tragjik ndodhi në xhirimet e një filmi, ku aktori kryesor protagonist është Alec Baldwin. Gjatë xhirimeve, me një pistoletë të përdorur për skenat western të filmit, Baldwin ka shkrepur armën dhe ka vrarë një grua, ndërsa i plagosur ka mbetur edhe regjisori i filmit.

Sipas të dhënave të para të bëra publike, ngjarja ka qenë një aksident, teksa pistoleta duhet të ishte e mbushur me fishekë të rremë, për të dhënë efektin vizual të filmit Rust, i cili po xhirohej në New Mexico.

Halyna Hutchins, 42 vjeçe, po punonte si drejtoreshë e fotografisë për filmin. Ajo u dërgua menjëherë në spital por nuk arriti ti mbijetojë plagëve.

Halyna Hutchins

Joel Souza, regjisori 48-vjeçar i filmit, ka marrë plagë të rëndë po ashtu, mirëpo po trajtohet në spital, jashtë rreziku për jetën momentalisht.

Joel Souza, regjisor i filmit

Një zëdhënës shtypi për Baldwin, tha për mediat se arma ishte shkrepur gabimisht. Policia gjithsesi po heton mbi detajet e mundshme që mund të kenë sjellë ngjarjen e tillë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi mbi Hutchins, e cila mbeti e vrarë.

Ajo ishte me origjinë ukrainase. Ishte rritur në një bazë ushtarake sovietike në rrethin arktik. Më pas, kishte studiuar gazetari në Kiev dhe ishte zhvendosur më tej për të Los Angeles. Aty kishte studiuar regji filmi.

Nga të shumtë, ajo cilësohej si një yll në ngjitje në industrinë më të madhe të filmit në botë.

Reagim ka pasur edhe nga të njohur të saj, të cilët e kanë kujtuar Halyna-n si një talent brilant, të përkushtuar ndaj artit dhe filmit.

Në rrjet filluan të dalin menjëherë edhe pamjet e para nga seti i filmit ku ndodhi ngjarja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore